Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, e cila këtë herë bëri ndalesën e saj në Shkodër.
Rama tregoi se tashmë Shkodra nuk është më qyteti i plehrave, një problem të cilin kryeministri e ka përsëritur shpesh herë. Ai shpjegoi se si në një kohë të shkurtër ky qytet ka ndryshuar shumë, falë projekteve dhe buxhetit të qeverisë.
“Së pari më vjen shumë mirë që sot patëm mundësinë për disa orë të shohim pak qytetin dhe në një kohë të shkurtër ndjesia e energjisë së qytetit është krejt tjetër. Në radhë të parë është e dukshme që sapo hedh sytë në qytet, Shkodra nuk është më qyteti i plehrave dhe të paktën në ato pjesë që unë pashë që janë akset kryesore. Qyteti është realisht shumë i pastër dhe shpresoj që të jetë kështu edhe në lagje, por ajo që është e rëndësishme është që ky është një proces që ka nisur dhe për hir të së vërtetës në një kohë shumë të shkurtër ka filluar të jetë mjaft i dukshëm. Kjo nuk është e lehtë aq më tepër kur ke parasysh që institucionet vendore, bashkia dhe strukturat e tjera, këtu në Shkodër kanë qenë të fokusuara tek punët e asaj partisë që sot është ndarë në shumë pjesë dhe jo tek hallet private të njerëzve.
E dyta po ashtu në një kohë shumë të shkurtër, ju e dini më mirë por nga informacioni i vazhdueshëm që marr, përderisa po e ndjek Shkodrën me përparësi këto kohë. Me përkushtim dhe vëmendje është arritur që Shkodra të ketë një situatë krejt tjetër të ndriçimit publik. Ishte një situatë e vështirë edhe ajo, e cila kishte të bënte shumë më tepër me kujdesin dhe mirëmbajtjen, sesa me ndonjë investim të posaçëm. Ndërkohë duket krejt qartë edhe këtu që puna e nisur me mbështetjen e qeverisë, përmes fondit të zhvillimit për rrugët, me shtresat e reja asfaltike në shumë akse që ishin prej ibret. Janë rreth 11 km rrugë brenda qytetit, të rëndësishme, që do të ribëhen plotësisht”, tha Rama.
Sipas kryeministrit ky vend ka vuajtur për vite, duke mbajtur në supe problematikat. Ndër të tjera ai u shpreh se midis dy epokave Shkodra të ofron dy periudha të ndryshme.
“Njëkohësisht këtu është buka e përditshme e punës së një bashkie dhe i sjell në shembull që në fillim për të evidentuar faktin që për sa pak ky qytet ka vuajtur për vite e vite të tëra dhe ka mbajtur mbi supe pluhur dhe shëmti. Nuk është edhe aq pak sepse në themel ka të bëjë me vendimmarrjen e qytetarëve dhe vullnetin e tyre. Shkodra midis këtyre dy epokave në një periudhë kohe prej disa muajsh ofron dy pasqyra shumë domethënëse për këdo që gabimisht mendon që vota nuk ka rëndësi.
Nëse do të ishte njëlloj nuk do të vinin gati 10 milionë turistë në vit në Shqipëri. Do të vinin aq pak sa vinin më parë se vota ta ndryshonte rrugën e Shqipërisë, ku turistët më evropianë ishin nga Kosova dhe Maqedonia, dhe kushdo që vinte njëherë nuk donte të kthente më sytë sepse ajo që u binte në sy ishte papastërtia, kaosi dhe pasiguria. Përveç këtyre, ne kemi filluar të hyjmë në projektet e rëndësishme që i premtuam qytetarëve të Shkodrës, ku disa prej tyre kanë nisur të realizohen, disa të tjera janë në fazën e projektimit, por brenda një periudhe brenda katër muajsh, ne i kemi vënë në dispozicion Shkodrës 20 milionë euro për fillim”, tha kryeministri.
Rama gjatë fjalimit të tij ironizoi edhe kryetarin e Bashkisë së Lezhës, e ndër të tjera theksoi se Shkodranët pas shumë kohësh besuan PS-në.
“E them sepse që ta dëgjojë edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës jam i bindur që po na dëgjon, sepse është polic dhe nuk lë gjë pa dëgjuar, është instinkti i policit që të kontrollojë të tjerët. Unë nuk besoj që shkodranët në të vërtetë pas shumë kohësh besuan, por pas shumë kohës kuptuan që ishte një gabim i madh ti binin fyellit në një vrimë dhe të prisnin muzikë tjetër. Në një farë mënyrë nga kjo përfituam ne, ky ndryshim ka ndodhur dhe kthesa ka filluar.Shkodra është e vetmja nyje strategjike e zhvillimit të vendit që është e patrajtuar ende, ndërkohë që nyjet e tjera strategjike sigurisht që kanë shumë punë për tu kthyer krejtësisht në motorë zhvillimi që punojnë me të gjithë fuqinë e tyre”, tha ai.
Top Channel