Roma fitoi me përmbysje 2-1 në ndeshjen e javës së 14 në transfertë ndaj Sassuolos. Verdhekuqtë ia dolën falë golave të Dybala dhe Kristensen.
Kryeqytetasit shfrytëzuan në maksimum avantazhin numerik të vendasve pas kartonit të kuq të Bolocas, ndërsa arbitri Marcenaro akordoi edhe një penallti në favor të Romës.
Ishte pikërisht ky arbitër që u sulmua nga trajneri Jose Mourinho si i paaftë për të gjykuar një ndeshje të tillë me Federatën Italiane që hapi hetim ndaj portugezit. Pas sfidës, ish-arbitri Paolo Casarin shfryu ndaj teknikut të verdhekuqve duke theksuar se Mourinho bën teatër provincial.
“Të gjithë ata që njohin arbitrat e dinë mirë se Marcenaro është e ardhmja e arbitrimit në Itali. Është shumë i qetë dhe nuk përfshihet nga emocionet, por e sigurt është se Mourinho nuk e njeh aspak atë.
E patë se sa mirë e mbajti ndeshjen e Romës?! Kur shoh një trajner të madh si Mourinho të flasë në atë mënyrë, kuptoj se diçka nuk shkon. Kjo liri e të kritikuarit në këtë formë nuk duhet lejuar, mua më duket si një teatër provincial”– tha Casarin.
Top Channel