Këtë të dielë, Paris Saint-Germain triumfoi 0-2 në transfertë ndaj Le Havre, me parizienët të cilët luajtën me dhjetë lojtarë prej minutës së dhjetë.
Një sukses shumë i rëndësishëm, kjo pasi tashmë kampionët e Francës kanë krijuar diferencën me vendin e dytë, me 4 pikë më shumë se Nice, ndërsa pas takimit, Luis Enrique u shpreh shumë i lumtur për fitoren dhe theksoi se ndihet krenar për ekipin e tij.
“Ishim një ekip i vërtetë. Jam shumë, shumë krenar për këtë skuadër. Krenar për mentalitetin dhe aftësinë e ekipit për t’u përshtatur me rrethanat, sepse gjithçka ndryshoi shumë shpejt. Krenar për shpirtin e ekipit, pasi kjo fitore është më e veçantë. Kishim përgatitur një tjetër sfidë dhe luajtëm një tjetër, ne u penalizuam shpejt, por shënuam golin e avantazhit. Në pjesën e dytë vuajtëm, Le Havre kërkoi me ngulm golin dhe duhet t’i përgëzoj për ndeshjen, na vendosën në vështirësi.” – tha fillimisht Enrique.
Më pas, spanjolli foli edhe mbi debutimin e talentit Aranau Tenas, që u aktivizua pas kartonit të kuq të Donnarumma-s.
“Më vjen shumë mirë për të dhe ndoshta shumë prej jush nuk e njihni, por unë e njoh mirë. Kam pasur një vlerësim për të që në kohën kur drejtoja Spanjën, pasi është një portier me shumë cilësi dhe të ardhme. Tenas u përshtat shumë mirë, gjeti ritmin e duhur dhe tregoi cilësitë e tij, ky sukses ndaj Le Havre është edhe meritë e tij”-shtoi tekniku.
Më pas, trajneri spanjoll u ndal te dëmtimet, me Fabian Ruiz që u largua shpejtë nga sfida, teksa në fund nuk mungoi edhe opinion i tij për Donnarumma-n.
“Jemi në pritje të ekzaminimeve për Fabian, por pasi doli nga fusha kishte shumë dhimbje. Donnarumma? Nuk mendoj se ishte faji I tij në momentin e kartonit, por këtu është edhe përgjegjësia ime, sepse unë u kërkojë portierëve të mi që të jenë shumë aktiv dhe të luajnë me topin.” – përfundoi Luis Enrique.
Pas javës së 14-të, Paris Saint-Germain kryeson kampionatin me 33 pikë dhe po shijon gjithçka në kampionat, duke lënë pas nisjen e sezonit, teksa tashmë, diferenca me vendin e dytë është 4 pikë dhe në fundjavën e ardhshme, kampionët e Francës do të masin forcat me Nantes në Paris./ SuperSport
Top Channel