Banka e Shqipërisë, nis zbatimin e dy strategjive në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm

04/12/2023 12:45

Banka e Shqipërisë organizoi workshop-in 17 të kërkimeve ekonomike për Evropën Juglindore, në të cilën morën pjesë kërkues të shumtë ndërkombëtarë nga bota akademike dhe komuniteti i bankave qendrore.

Gjatë fjalës hapëse në Workshop-in shkencor, Sejko tha se: ”Programi i këtij Workshop-i është në sinkron me sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet komuniteti i bankingut qendror në mbarë botën. Temat e këtij viti – ndërsa mbulojnë fusha të kahershme të interesit të bankës qendrore, si inflacioni, politika monetare dhe stabiliteti financiar – thellohen njëkohësisht në çështje e sfida të momentit si: ndryshimet klimatike, digjitalizimi, financat e familjeve apo përfshirja financiare.”

Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë ka nisur zbatimin e dy strategjive të rëndësishme, të cilat mbështesin arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, strategjinë e klimës dhe atë të edukimit dhe përfshirjes financiare  dhe njëkohësisht po zhvillojmë një përqasje të re me fokus mbi digjitalizimin.

“Ne kemi nisur zbatimin e dy strategjive të rëndësishme, të cilat mbështesin arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm – strategjinë e klimës dhe atë të edukimit dhe përfshirjes financiare – dhe njëkohësisht po zhvillojmë një përqasje të re me fokus mbi digjitalizimin. Këto iniciativa janë mbështetur dhe kanë përfituar nga kërkimet shkencore të Bankës së Shqipërisë në fushat e ndryshimeve klimatike, edukimin dhe përfshirjen financiare të individëve dhe të sektorit privat. Digjitalizimi i financës dhe parasë po transformon rrënjësisht panoramën ekonomike dhe atë financiare, duke ndryshuar perceptimet dhe sjelljet e publikut ndaj vendimeve monetare dhe atyre financiare. Ky ndryshim radikal kërkon qasje të reja në analizë, vendimmarrje dhe komunikim me publikun, veçanërisht përballë të panjohurave që vijnë nga teknologjitë gjithnjë në zhvillim e sipër. Rrjedhimisht, ju inkurajoj që të thelloni studimet në këto çështje kritike”- tha Sejko, duke nxitur kërkuesit t’i përmbahen analizës dhe parimeve të seriozitetit shkencor.

“Në mbyllje, nxis kërkuesit tanë t’u përmbahen parimeve të analizës së paanshme, seriozitetit shkencor dhe rekomandimeve të qarta. Kjo është një detyrë sfiduese, por unë kam besim në aftësinë tonë kolektive për të qenë në lartësinë e duhur. Kërkimi në Bankën e Shqipërisë tashmë ka fituar besueshmërinë e politikëbërësve dhe respektin e botës akademike, siç dëshmohet edhe nga pjesëmarrja ndërkombëtare në këtë aktivitet– tha Sejko.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA