“Trump s`ka imunitet”, gjykatësja: Të përballet me padinë për trazirat në Kapitol!

02/12/2023 08:03

Një vendim i fundit gjykate e komplikon situatën e ish presidentit amerikan Donald Trump, kryesuesi i garës për nominimin republikan në presidencialet e 2024-tës.

Gjykatësja Tanya Chutkan doli në përfundimin se  ai nuk ka imunitet nga akuzat penale për veprimet që ndërmori si president, duke refuzuar kështu kërkesën e tij për të rrëzuar çështjen penale të ngritur nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith ku e akuzonte ish-presidentin për tentativën e përmbysjes së humbjes që pësoi në zgjedhjet e vitit 2020.

Chutkan nuk gjeti baza ligjore për të konkluduar se presidentët nuk mund të përballen me akuza penale pas përfundimit të detyrës. “Çfarëdo imunitetesh që një president në detyrë mund të gëzojë, Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një drejtues të ekzekutivit, dhe ky post nuk të jep të drejtën e të qëndruarit jashtë burgut gjatë gjithë jetës”, thuhet në vendimin e saj, çka lë të kuptohet se Trumpi mund të përballet me padi për trazirat në Kapitol. Për shkak se ish-Presidenti Trump është i pari president apo ish-president amerikan që përballet me akuza penale, vendimi i Gjykatëses Chutkan është i pari nga një gjykatë amerikane që konfirmon se presidentët mund të akuzohen për vepra penale si të gjithë shtetasit e tjerë.

Vendimi i Gjykatëses Chutkan e sjell ish-Presidentin Trump një hap më afër përballjes me një juri gjyqësore mbi akuzat se ai komplotoi për të ndërhyrë në numërimin e votave elektorale dhe për të penguar certifikimin nga Kongresi të fitores së Joe Bidenit. Trump është deklaruar i pafajshëm dhe ka akuzuar prokurorët për përpjekje për të dëmtuar fushatën e tij elektorale.

Top Channel