Nga MONIKA STAFA – Manastiri i Shën Naumit ju lëshua me vullnet të lirë politik ish-Jugosllavisë së pare.

Në vitin 1925. Dhe kjo është një nga pjesët më të ndërlikuara të caktimit të kufijve të Shqipërisë. Një proces që copëtoi trojet shqiptare e që daton me Kongresin e Berlinit.

Po pse Shën Naumi ju dhurua fare lehtë fqinjëve shovinistë?

Çfarë e detyroi Zogun të lëshojë këtë territor të bukur me një artefakt të tillë historik në duart e sllavëve të jugut?

Ne e dimë se Shën Naumi dhe pylli i Velipojës në Vermosh janë të vetmet lëshime me vullnet të plotë nga projekti i kufirit ndërshtetëror që kish përcaktuar Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve.

Për gati gjysmë shekulli kemi mësuar gjithashtu se dhurimi i Shën Naumit dhe i Vermoshit është një akt i lartë tradhtie i ish-mbretit Zog. Ndodhi kur ai u kthye prej emigrimit politik në Beograd. Në dhjetor 1924.

Po sot në shkolla si e mësojnë nxënësit këtë pjesë të historisë?

A ka një studim të thelluar se çfarë roli patën institucione, si Asambleja Parlamentare, Këshilli i Shtetit, diplomacia dhe organizatat ndërkombëtare në këtë çështje?

Një gjë është e qartë kur vjen puna tek burimet historike. Dhe është mirë shumë që ato ruhen me kaq kujdes ende pavarësisht se nuk hapen fort me dëshirë. Çështja e Shën Naumit është parë kryesisht si pjesë e kompromiseve politike të A. Zogut me ish-Jugosllavinë e pare. Më vonë me Italinë dhe me Britaninë; si ilustrim i politikës së vasalitetit dhe lëshimeve kombëtare të periudhës mbretërore. Asnjëherë si një çështje specifike më vete.

E afërmendsh e kuptueshme është se kur lexon mbi këtë manastir të bukur dhe morinë e dokumenteve që lidhen me lëshimin e tij kupton dinakërinë dhe lojërat diplomatike të A. Zogut në marrëdhëniet me fqinjët, sidomos me ish-Jugosllavinë dhe Italinë por dhe me Fuqitë e Mëdha.

E vërteta është se çështjet ndërkufitare të Shqipërisë kanë edhe një përmasë ndërkombëtare. Vendimet e Fuqive të Mëdha për mënyrën si u njoh pavarësia e Shqipërisë nuk garantonin aspak një sovranitet dinjitoz për kombin shqiptar tanimë të tkurrur dhe projektuar në një hartë të re.

Që prej ditës që jam marrë me çështjen e Shën Naumit në një tezë timen shkencore jam përpjekur ta pavarësoj atë si temë prej problemeve të tjera të historiografisë shqiptare të kësaj periudhe, duke dashur madje ta bëjë atë objekt më vete dhe që e meriton plotësisht vëmendjen e dijes. Jo si pjesë të problemeve të historisë së caktimit të kufijve të Shqipërisë. Dhe as si nën/çështje të raporteve diplomatike dhe gjeopolitike të mbretërisë shqiptare me fqinjët.

Ne duhet ta dimë se çështjet ndërkufitare me karakter gjeopolitik asnjëherë nuk mund të jenë të kuptueshme pa vështrimin e tjetrit.

“Shën Naumi i Premtuar” nuk bën përjashtim. Fati i tij i trishtuar është ndjekur me shumë vëmendje prej interesave politikë të fqinjëve të afërt. Italisë dhe Greqisë.

Shpesh, për të kuptuar thelbin e një ngjarjeje, reflektimi në ndërgjegjen historike të tjetrit është kusht i domosdoshëm njohjeje. Marrëveshja A. Zogu – N. Pashiq, është një tekst mbi të cilin ka pasur shumë diskutime. Studiuesit shqiptarë e kanë përmendur ekzistencën e kësaj marrëveshjeje, por vetëm në kuadër të studimit të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Në arkivat italiane marrëveshja është në dy kopje, të dyja identike me njëra-tjetrën, megjithëse njëra me burim Beogradin dhe tjetra me burim Tiranën. E të dyja të përcjella në rrugë diplomatike.

Thuhet se teksti i origjinalit ruhet por nuk ka të dhëna nëse origjinali është në serbisht, shqip apo në të dyja gjuhët (apo në ndonjë gjuhë të tretë, p.sh. frëngjisht, që në atë kohë ishte gjuhë zyrtare e diplomacisë). Shkolla serbe e historiografisë e ka përgënjeshtruar ekzistencën e një marrëveshjeje me shkrim dhe pretendon se ekziston vetëm një “gentleman agreement”.

Në të gjitha rastet duhet pranuar se ekziston një meta-tekst i marrëveshjes. Një variant i interpretuar i saj që përmban edhe ndikimin e vështrimit italian, si palë e cenuar prej saj për shkak të privilegjeve që i ishin njohur Romës ndërkombëtarisht si kujdestare e sigurisë së jashtme të Shqipërisë, duke përfshirë edhe mbrojtjen e kufijve të caktuar në vitin 1913.

Çështja e kërkimit të origjinalit të kësaj marrëveshjeje në arkivat e Beogradit mbetet një çështje e hapur. Fakti që përmbajtja e saj është cituar në studimet e historianëve serbë lë të kuptohet se origjinali duhet të ruhet.

Gjithnjë, sidomos nga protagonistët e veprimit (M. Frashëri, p.sh.), shitja e Shën Naumit është përligjur me ‘ndjenjat e forta fetare të sllavëve’.

Sa e vërtetë është kjo tezë? Ka një mori faktesh që provojnë praninë e krishtërimit të hershëm dhe ruajtjen e dëshmive historike-gjuhësore dhe kulturore nga kjo periudhë në faltoret më të hershme të krishtërimit që rrethojnë brigjet e liqenit të Ohrit. Pamja prej palimpsesti e ndikimeve kishtare të kryqëzuara në shkollën kishtare të Ohrit në këtë manastir dhe jo vetëm këtu por dhe ato që ne sot gëzojmë në gjithë arealin shqiptar është prova më e pakundërshtueshme se argumenti i Zogut se këtu ka një shumicë me popullsi sllave jo vetëm nuk ekziston por është një tradhti tepër dinake e tij dhe e njerëzve të tij.

Shën Naumi u premtua dhe si “I Premtuar” duhej “Të Martohej”.

Dhe ndodhi. Në vitin 1925.

Nuk ekziston një histori e caktimit të kufijve të Shqipërisë në përgjithësi dhe një vështrim kontekstual-historik i çështjes së Shën Naumit në kuadër të saj. Gjendja e studimeve paraqitet mjaft fragmentare, jokoherente, me teza e burime të dyshimta dhe kundërthënëse.

Karakteri dhe rëndësia e çështjes së Shën Naumit lejojnë disa këndvështrime: si çështje kombëtare, kufitare, ndërkufitare, ndërshtetërore, politike, gjeopolitike, rajonale, ndërkombëtare, e hapur dhe e fshehtë.

Në thelb përmes këtij vështrimi është synuar të vihet theksi në një precedent që dëshmon se jo rrallë herë interesat e Shqipërisë, janë cenuar jo prej vendimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare por prej politikave koncesionare, prej vënies së interesave të pushtetit e të qeverisjes mbi ato të shtetit dhe të shtetësisë.

Në këto kushte a kemi të drejtë të kërkojmë rinjohjen e çështjes kur burimet dhe studimet janë në komunikim të lirë?

Nisur nga disa efekte politike dhe gjeopolitike që çështja e Shën Naumit mund të prodhojë fati i saj është i pakthyeshëm. Edhe pse e realizuar në kushtet e një nënçmimi të interesave kombëtare dhe kundër vullnetit të Fuqive të Mëdha të shprehur më 1913 dhe të rikonfirmuar me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës më 1924, Manastiri i hijshëm i Shën Naumit mbetet një çështje e hapur për njohje dhe për identifikim të përgjegjësive historike.

*Gazetare dhe folëse lajmesh në Departamentin e Informacionit, Top Channel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA