SHBA “kujtohet” për Ukrainën: Shpejt ndihma, para se t`i “bllokojë” dimri!

02/12/2023 07:19

Pavarësisht konfliktit të ri të armatosur që ka rrëmbyer vëmendjen e saj, ashtu si edhe pjesës tjetër të botës, SHBA i ktheu sytë sërish nga Ukraina.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u shpreh se Kongresi duhet të veprojë me shpejtësi për të ofruar ndihma për Ukrainën përpara fundit të këtij muaji, pas të cilit do të bëhet shumë e vështirë dhënia e ndihmës që i nevojitet Kievit.

“Na duhet kjo ndihmë menjëherë, në mënyrë që të mund ta dërgojmë pa ndërprerje. Shtetet e Bashkuara mendojnë se Rusia do të përpiqet të shkatërrojë infrastrukturën jetike për energjinë të Ukrainës këtë dimër, ashtu  siç veproi edhe vitin e kaluar”, tha Kirby.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u takua të premten me krerë ushtarakë për të diskutuar mënyrat sesi të prodhohen “rezultate konkrete” vitin e ardhshëm në luftën e Ukrainës kundër Rusisë, ndërsa foli edhe për përmirësime në metodat e mobilizimit.

“Kjo nuk është thjesht një çështje numrash, se kush mund të mobilizohet. Është çështje afatesh kohore për çdo person që është tani në ushtri, për çmobilizimin dhe për ata që do t’i bashkohen ushtrisë. Dhe ka të bëjë me kushtet. Ka patur disa propozime nga komandantët dhe ministria e mbrojtjes. Jjam në pritje të zgjidhjeve gjithëpërfshirëse”, tha Zelensky.

Komentet e Zelenskyt erdhën pasi Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret për rritjen e numrit të ushtarakëve në forcat e armatosura ruse me 170,000 rekrutë të rinj, duke e rritur totalin në 1,320,000 ushtarakë me pretendimin se ky hap po hidhet për shkak të kërcënimeve në rritje ndaj Rusisë dhe zgjerimin e vazhdueshëm të NATO-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA