Rishi Sunak anuloi takimin me Mitsotakis, Mbreti Charles vesh kravatë me flamurin grek

02/12/2023 18:13

Mbreti Charles ka veshur një kravatë të zbukuruar me flamurin grek, vetëm disa ditë pasi kryeministri britanik Rishi Sunak anuloi një takim me homologun e tij grek, në një mosmarrëveshje diplomatike mbi Skulpturat e Partenonit, të njohura edhe si Mermeret Elgin.

Mbreti e veshi kravatën gjatë takimit me liderët botërorë – përfshirë Sunak – në bisedimet për klimën COP28 në Dubai të premten.

Një burim i Buckingham Palace tha për CNN se kravata ishte thjesht një nga koleksioni aktual i Mbretit dhe ka bërë paraqitje të tjera së fundmi.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të takonte Sunak në Londër të martën. Megjithatë takimi u anulua papritmas nga Downing Street pasi Mitsotakis bëri komente gjatë një interviste televizive për statusin e Skulpturave të Parthenonit, të cilat aktualisht ndodhen në Muzeun Britanik në Londër.

Të dielën, Mitsotakis i tha BBC-së në një intervistë se skulpturat ishin “në thelb të vjedhura” dhe se qeveria e tij do të vazhdojë të lobojë për një marrëveshje dhe të shtyjë për një “partneritet” me Mbretërinë e Bashkuar.

Greqia ka kërkuar vazhdimisht kthimin e skulpturave, të cilat diplomati britanik Lord Elgin i hoqi nga tempulli i Partenonit në Athinë në fillim të shekullit të 19-të, kur ai ishte ambasador në Perandorinë Osmane.

Kryeministri grek tha në një deklaratë të ndarë nga zyra e tij të hënën se ai ishte “i mërzitur që kryeministri britanik anuloi takimin tonë të planifikuar vetëm disa orë përpara se të zhvillohej”, dhe se pozicioni i vendit të tij për Skulpturat e Partenonit është “i mirënjohur”.

“Kushdo që beson në korrektësinë dhe drejtësinë e pikëpamjeve të tyre, kurrë nuk ka frikë nga argumentet e kundërta,” shtoi ai.

Babai i Charles ka lindur në ishullin grek të Korfuzit dhe u emërua Princi Filip i Greqisë dhe Danimarkës, përpara se të martohej me Mbretëreshën Elizabeth II dhe të bëhej Duka i Edinburgut.

Top Channel