Rama në Samitin e Klimës: Ndotësit e mëdhenj bëjnë maksimumin për të na dhënë leksione, por jo për t’u ndalur vetë

02/12/2023 12:24

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Samitin Botëror të Veprimit për Klimën COP 28, i cili zhvillohet çdo vit, si një takim mes liderëve të shteteve dhe qeverive për të përcaktuar përgjegjësitë për veprimin ndaj klimës dhe për të identifikuar dhe vlerësuar masat klimatike.

Në ditën e dytë të Samitit, i cili këtë vit po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ‘vendi ynë synon të bëhet lider energjitik në rajon dhe eksportues neto energjie deri ne 2030, por  Shqipëria është një prej vendeve të rralla që nuk ka emetime të dioksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë.’

Rama pati edhe kritika për ato që i quajit “vende të mëdha”, për të cilat tha se ‘bëjnë maksimumin e tyre për të na dhënë leksione, por jo për t’u ndalur vetë.

Si përfaqësues i Republikës së Shqipërisë, por edhe i një rajoni që po ecën shpejt, por është ende në zhvillim në Europë, i quajtur Ballkani Perëndimor, qëndroj këtu para jush sot për të ndarë disa mendime.
Të gjithë e dimë se për dekada vende në zhvillim si i yni, janë rrekur në mënyrë të palodhur për të trajtuar sfida të zhvillimit ndërkohë që janë përballur me efektet negative të ndryshimit të klimës. Dhe po, marrëveshja e Parisit ishte një rreze shprese, një premtim i bërë nga bota për të ruajtur planetin tonë dhe banorët e tij, e megjithatë realiteti është larg zotimeve të ndërmarra. Për ta thënë ashtu siç është, barra e aksionit për klimën vazhdon të bjerë në mënyrë shpërpjesëtimore në shpatullat e vendeve në zhvillim, pavarësisht kontributit tonë minimal në këtë krizë ndërkohë që ndotësit e mëdhenj bëjnë maksimumin e tyre për të na dhënë leksione, por jo për t’u ndalur vetë.
Megjithatë ajo çfarë ne bëjmë, është ajo tek e cila besojmë dhe jemi zotuar të ulim emetimet e gazrave serrë në nivel global me 20.9% deri në 2030 dhe të arrijmë asnjanësinë klimatike deri në 2050.

Së dyti, vendi ynë synon të bëhet lider energjitik në rajon dhe eksportues neto energjie deri ne 2030, por duhet ta dini që Shqipëria është një prej vendeve të rralla që nuk ka emetime të dioksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë.
Sigurisht nga ana tjetër, përballet me një rrezik ekstrem hidrologjik sepse ne varemi nga klima edhe pse tashmë jemi në një diversifikim në shkallë të plotë me energjinë e erës dhe diellit.

Së treti, Shqipëria ka ecur përpara me zbatimin e praktikave të zgjidhjeve bazuar në natyrë gjatë viteve të fundit dhe këtë vit Vjosa, i pagëzuari lum i fundit i egër i Europës është shpallur Park Kombëtar në Shqipëri. Ishte për të qeshur sidoqoftë, sepse më të mëdhenjtë e më të pasurit rreth nesh në Europë, që kanë zbutur të gjithë lumenjtë e tyre na dhanë leksione gjatë gjithë kohës se sa e rëndësishme ishte të kishim një lumë të egër në Europë, por s’ka rëndësi, të qeshësh është mirë dhe angazhimi ynë është i fortë dhe real ndaj ne e bëmë dhe jemi plotësisht të përkushtuar që të vazhdojmë kështu. Në fund më lini ta përmbyll me një përmendje të veçantë e të falenderoj nga zemra vendin mikpritës të kësaj ngjarjeje të madhe, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe udhëheqjen e këtij vendi, Presidentin vizionar Mohammed bin Zayed i cili po i tregon bashkësisë sonë të vendeve çfarë do të thotë të lidhësh fjalët me veprat dhe duke iu thënë mirupafshim të gjithëve, uroj të kishim pasur më shumë Emirate të Bashkuara Arabe në komunitetin tonë të vendeve në mënyrë që atë çfarë është e zymtë, ta bëjmë më të lehtë e rrugëtimin tonë më të ndritshëm.“-tha Rama në fjalën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA