Një artist kosovar në Nju Jork! Petrit Halilaj pritet të çelë instalacionin e artit modern në Muzeun Metropolitan të Artit

02/12/2023 20:10

Artisti Petrit Halilaj do të çelë në prill të vitit të ardhshëm një instalacion të artit modern në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork.

Gazetarja e Zërit të Amerikës Garentina Kraja, bisedoi me artistin Halilaj, mbi përjetimet e tij pas ftesës së institucionit prestigjioz botëror të artit, si artisti i parë shqiptar që do të ketë një vepër arti në të. Vepra e Petrit Halilajt do të çelet në Muzeun Metropolitan të Artit në prill të vitit të ardhshëm. Sipas muzeut, artisti Halilaj, i cili jeton mes vendlindjes së tij Kosovës dhe Berlinit, është ftuar të transformojë tarracën e muzeut në një instalacion arti bashkëkohor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, artisti Halilaj tha se ftesa nga Muzeu Metropolitan i Artit, që përmban njërin prej koleksioneve më të mëdha të artit në botë e që sipas tij ka shumë pak artefakte të ekspozuara nga Kosova dhe Ballkani, është një nder i veçantë, të cilin ai do ta shfrytëzojë për të reflektuar mbi lidhjet e Kosovës me rajonin në rrafshin kulturor dhe politik, si dhe ndërlidhjet e vendlindjes së tij me Shtetet e Bashkuara.

“Është emocion shumë i madh, sepse vetëm ta vizitosh Muzeun Metropolitan është emocion i madh, koleksionin që rrugëton në kohë deri në 5,000 vjet para nesh dhe ku tregohen fragmente nga e gjithë bota, qoftë përmes artefakteve, qoftë përmes arkitekturës. Në tarracën e Muzeut një herë në vit bëhen porosi me një artist të artit bashkëkohor. Në këtë rast, kur e pranova ftesën, nuk munda ta besoja. Jam tepër, tepër i lumtur.”

I lindur në fshatin Runik në Kosovë, artisti 37-vjeçar sjell në punimet e tij fragmente të përjetimeve personale të luftës në Kosovë, lidhjet me jetën e tij në fshat, që në tokën e tij ka ruajtur gjurmët e një civilizimi neolit, shpeshherë të vendosura përballë, ose në bashkëbisedim me përjetimet universale të përvojës njerëzore – një udhëtim në kufijtë realë dhe imagjinarë të identitetit të krijuar dhe të imponuar, lidhjet e njeriut me tokën dhe me të kaluarën, lirinë – ose mungesën e saj – për të qenë dhe për të lëvizur.

Vepra në muzeun e Nju Jorkut, thotë artisti Halilaj, meqë realizohet në tarracën e këtij institucioni, do të jetë në harmoni me realitetin urban të qytetit metropol, me qiellin dhe vet ndërtesën e muzeut.

“Është projekt në të cilin po punoj prej një viti e gjysmë intensivisht. Për dallim prej projekteve tjera, ndoshta është momenti kur pata nevojë dhe dëshirë të filloj një kërkim mes Nju Jorkut dhe Kosovës. Në dy vitet e fundit kam qenë në shtetet rreth nesh – Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, shtetet e ish-Jugosllavisë dhe isha shumë i interesuar të kuptoj relacionin mes nesh dhe rajonit dhe të filloj një bashkëbisedim. Ne e dimë që historikisht dhe në aspektin kulturor ka zbrazëtira të prezencës së zërit tonë, edhe si kulturë, edhe si realitet dhe jam i interesuar me pa se si mund të punojmë, qysh mund të rinjihemi në rajon, duke filluar me një shkëmbim të njohurive që kanë të bëjnë me kulturën.”

Veprat e Petrit Halilajt, që vijnë në forma të ndryshme, tashmë janë ekspozuar në galeritë më të njohura në Evropë. Në vitin 2013, Halilaj përfaqësoi Kosovën për herë të parë në debutimin e shtetit të ri në Bienalen prestigjioze të Venedikut. Në Tate St. Ives, në Britani të Madhe, ekspozita e tij personale në vitin 2021 bazohej në vizatimet e zogjve të larmishëm dhe pamjet e luftës dhe shkatërrimit që kishte sjellë ajo në Kosovë, që ai i kishte realizuar ndërsa qëndronte në kampin e refugjatëve në Kukës, në pranverën e vitit 1999. Në këtë fotografi, kur ai ishte 13 vjeç, shihet ndërsa priste për bukë në radhët e gjata së bashku me refugjatë të tjerë të dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Në ‘Muzeun e Izraelit’, në Jerusalem, ai ka rikrijuar varësen e nënës së tij me xhevahire, që ajo e kishte fshehur në një gropë në oborrin e shtëpisë për ta shpëtuar nga lufta. Varësja ishte i vetmi kujtim që mbijetoi nga shtëpia. Në veprën e rikrijuar, xhevahiret nuk ishin me shkëlqim; Halilaj i kishte mbushur ato me copëzat e shtëpisë së djegur në luftë.

Në Meksikë, në muzeun Tamayo, ku javën e kaluar Halilaj ka hapur ekspozitën e parë personale në Amerikën Latine, me titull “Runik”, ai rikrijon strukturën e shtëpisë së sotme të familjes së tij në Kosovë. Meksika, si shumica e shteteve të Amerikës Latine, nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe nuk i lejon shtetasit kosovarë të udhëtojnë në këtë vend.

“Këto barriera, kur folëm për lirinë personale, ato kolektive, janë pjesë dhe trajtohen në ekspozitë. Kjo ekspozitë sjell për herë të parë bashkë më shumë se 12 projekte në të cilat kam punuar në vitet e fundit. Në arkitekturën dhe në vet ndërtesën e muzeut Tamayo kam vendosur të sjellë një ndërtesë tjetër, që në këtë rast vjen nga Kosova, që është struktura e shtëpisë që kemi ndërtuar me familjen pas luftës, shtëpisë që kemi ndërtuar në Prishtinë, por që është strukturë dhe plan i njëjtë i shtëpisë në Runik. Meqë anëtarët e familjes nuk mund të vinë në Meksikë, sepse Meksika nuk e njeh Kosovën, kam vendosur që krijesa dhe skulpturat të të gjitha projekteve të tjera të vijnë në muze. Shumica e tyre e shohin njëra-tjetrën për herë të parë. Për mua ka qenë eksperiencë goxha interesante.”

Në mesin e tyre, sipas Halilajt, është një skulpturë në formën e fluturës, ngjyrat e së cilës janë realizuar nga shtëpia e fëmijërisë në Runik, e djegur gjatë luftës. Pluhuri i zi i instalacionit të fluturës është bërë nga pluhuri i drurit të djegur nga kulmi i shtëpisë, ndërkohë që pluhuri i bardhë është realizuar nga gurët e mureve. Por, krahas këtyre gjurmëve të së kaluarës së dhimbshme, Halilaj ka krijuar një realiteti paralel që sfidon realitetin shpeshherë të ashpër të zhvillimeve politike dhe përçarjeve që karakterizojnë sot përvojën njerëzore. Në bashkëpunim me kompaninë kryesore ajrore të Meksikës, Aeromexico, ai ka shndërruar një Boeing të saj në një pulë, që me mbishkrimin “Nga Runiku me dashuri” po shëtit i lirë, pa barriera politike e kufij gjeografik, mbi qiejt e kontinentit amerikan.

Halilaj i vendos përballë njëra tjetrës përvojat e etapave të ndryshme të kërkimit të tij personal në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm të rimëkëmbjes së lindur nga një traumë personale dhe kolektive e thellë, shpeshherë duke i detyruar të tjerët dhe veten që në përpjekje për të shijuar artin e tij ta ngrejnë kokën lart, për të parë yjet, për të parë qiellin.

“Puna ime prej fillimit është ndërlidhur me eksperiencat personale dhe kur i shoh këto fotografi të vitit 1999, fotografi që na ndërlidhin të gjithëve, sepse është një memorie kolektive e luftës që kemi kaluar, vështirësive që kemi kaluar. Mendoj që vet lufta është pjesë e një ëndrre për një jetë më të mirë dhe prandaj emocionohem sa herë që e shoh, sa herë që i rikujtoj këto momente. Por janë edhe momente që na kanë krijuar dhe jemi ata që jemi duke iu falënderuar këtij udhëtimi të përbashkët. Si artist janë pjesë e rrëfimeve që kam dëshirë t’i tregoj. Ekspozita në MET është një tjetër rrugëtim, që po shpresoj dhe jam tepër i lumtur që ky projekt do të vijë në Amerikë sepse e di që edhe komuniteti shqiptar në Amerikë është shumë i madh, mirëpo edhe vet Shtetet e Bashkuara janë aktor shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë historik.”

Vepra e Petrit Halilajt do të çelet për publikun në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork më 29 prill të vitit 2024 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 27 tetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA