Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se 193 njerëz janë vrarë që kur Izraeli rifilloi sulmet në Rripin të premten, ndërsa 652 persona të tjerë janë plagosur që nga përfundimi i armëpushimit shtatëditor.
Sipas ministrisë, numri i njerëzve të vrarë në Gaza ka tejkaluar 15,000 dhe më shumë se 40,000 të plagosur, 70% e të cilëve thotë se janë gra dhe fëmijë.
Ndërsa dy anëtarë të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC) janë vrarë në sulmet izraelite në Siri, sipas mediave shtetërore iraniane.
Duke njoftuar vdekjen e tyre, IRGC thotë se Mohammed Ali Ataei Shoorcheh dhe Panah Taghizadeh u vranë gjatë kryerjes së një “misioni këshillimor” në Siri.
Forcat iraniane kanë ndihmuar në mbështetjen e qeverisë së presidentit sirian Bashar Al-Assad për shumë vite.
Teherani është gjithashtu një mbështetës i madh i Hamasit dhe milicisë së fuqishme Hezbollah, të cilët gjithashtu kanë shkëmbyer zjarr me Izraelin përtej kufirit libanez shumë herë që nga 7 tetori.
Të enjten, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri deklaratën e tij më të ashpër publike deri më tani se si Izraeli duhet të luftojë.
Blinken tha se kjo nënkuptonte “marrjen e hapave më efektivë për të mbrojtur jetën e civilëve, duke përfshirë përcaktimin e qartë dhe të saktë të zonave dhe vendeve në Gazën jugore dhe qendrore, ku ata mund të jenë të sigurt dhe jashtë vijës së zjarrit”.
“Kjo do të thotë shmangia e zhvendosjes së mëtejshme të konsiderueshme të civilëve brenda Gazës. Do të thotë shmangia e dëmtimit të infrastrukturës kritike për jetën, si spitalet, si stacionet e energjisë elektrike, si objektet e ujit. Dhe kjo do të thotë t’u jepet civilëve që janë zhvendosur në Gazën jugore zgjedhjen për t’u kthyer në veri sapo t’i lejojnë kushtet. Nuk duhet të ketë zhvendosje të brendshme të qëndrueshme”, tha Blinken.
Në fillim të luftës, presidenti amerikan, Joe Biden, vizitoi Izraelin. Ndërsa përpiqej ta mbështillte Izraelin me një përqafim të ngrohtë dhe të fuqishëm, ai gjithashtu paralajmëroi aleatët e tij që të mos verboheshin nga zemërimi teksa kërkonin drejtësi, siç kishte qenë Amerika pas sulmeve të Al-Kaedës të 11 shtatorit 2001.
Top Channel