Kamala Harris: SHBA nuk do të lejojë, në asnjë rrethanë, zhvendosjen e detyruar të palestinezëve

02/12/2023 16:41

Zv/Presidentja e SHBA, Kamala Harris ka deklaruar se Uashingtoni nuk do të lejojë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Rripi i Gazës.

Në një takim me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, Harris u shpreh se: “Shtetet e Bashkuara në asnjë rrethanë nuk do të lejojnë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Gaza ose Bregu Perëndimor, rrethimin e Gazës ose rivizatimin e kufijve të Gazës.”

Izraeli është shprehur se fushata e tij ushtarake në Gaza synon të shkatërrojë Hamasin, grupin militant islamik përgjegjës për sulmin terrorist të 7 tetorit që la më shumë se 1200 izraelitë të vdekur dhe 240 të tjerë të marrë peng. Megjithatë, liderët rajonalë si Mbreti Abdullah II i Jordanisë kanë shprehur shqetësime se Izraeli mund ta përdorë konfliktin për të kapur pjesë të Gazës ose për të dëbuar banorët e saj palestinezë.

Është gjithashtu e paqartë se çfarë roli planifikon të luajë Izraeli pas përfundimit të konfliktit. Kryeministri Benjamin Netanyahu i tha CNN në nëntor se roli i Izraelit në Gazën e pasluftës do të ishte ai i një “zarfi ushtarak i jashtëzakonshëm”, por nuk shpjegoi se çfarë do të thoshte kjo.

Gjatë takimit të tyre, Harris dhe Sisi diskutuan “idetë për periudhën pas konfliktit në Gaza duke përfshirë përpjekjet për rindërtimin, sigurinë dhe qeverisjen”, thuhet në deklaratë.

“Harris theksoi se këto përpjekje mund të kenë sukses vetëm nëse punohet me largpamësi për popullin palestinez drejt një shteti të tyre të udhëhequr nga një Autoritet Palestinez i rigjallëruar dhe të kenë mbështetje të konsiderueshme nga komuniteti ndërkombëtar dhe vendet e rajonit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA