Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për të arrestuarit për vrasjen me dashje të mbetur në tentativë në qytetin e Kavajës.
Artur P. 52 vjeç dhe Elton D. 44 vjeç me kërkesë të prokurorisë do të qëndrojnë në paraburgim deri në fund të hetimeve.
Gjyqtarja Entela Shehdula e zhvilloi seancën me dyer të mbyllura për median dhe pasi dëgjoi palët vleftësoi të ligjshëm arrestin e tyre dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dy. Autori i dyshuar i vrasjes së mbetur në tentativë u mbrojt me avokat të caktuar kryesisht nga shteti. 52-vjeçari Artur P. tentoi të vriste, me sëpatë, 33-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në një lokal në lagjen 4 të qytetit. Në lidhje me ngjarjen u prangos edhe pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, pasi përkrahu autorin, duke prishur vendin e ngjarjes dhe duke dhënë deklaratë të rreme.
Ka qenë një konflikt për motive të dobëta mes autorit dhe rë dëmtuarit që ka përfunduar në krim kundër personit, ndërsa autori i dyshuar pretendon se ka qenë nën efektin e alkolit. Ai e ka goditur me sëpatë, në kokë 33-vjeçarin, duke e dëmtuar rëndë atë.
Ndaj Artur Petja, rëndon akuza për “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, ndërsa ndaj pronarit të lokalit rëndojnë veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Organizmi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. Pas konfliktit në lokalin e tij, 44-vjeccari ka prishur vendin e ngjarjes dhe ka deklaruar në polici se shtetasi Ismet Gj. ishte dëmtuar pasi ishte rrëzuar nga shkallët. Gjatë kontrollit në celularin e shtetasit Elton Dedej, shërbimet e Policisë kanë gjetur të hapura faqe që shërbejnë për lojëra fati.
Sëpata, celulari i pronarit të lokalit dhe i një klienti të tij, që po hetohet në gjendje të lirë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Top Channel