Ka marrë fund arratia disa javore e Ismail Zenelit i shpallur në kërkim nga SPAK prej 15 nëntorit, i dyshuar për trafik narkotikësh dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e një vrasje si pjesë e grupit kriminal, të drejtuar nga Ervin Mata dhe Eralbi Breçani.

Top Channel mëson se Ismail Zeneli i cili njihet edhe me emrin Luan Sadria dhe në rrjetin social SKY përdorte nofkat “Dajo”, “Dajloki” dhe “Transporter”, është arrestuar në Madrit të Spanjës mbrëmjen e 27 nëntorit. Autoritetet shqiptare kishin siguruar informacion për vendndodhjen e tij të cilat ua dorëzuan homologëve spanjollë të cilët kryen arrestimin. Tashmë ministria e Drejtësisë do të vijojë me procedurat e ekstradimit.

Sipas SPAK përfshirja e Zenelit në trafikun e kokainës është faktuar në dy episode të ndodhura në janar dhe në shkurt të vitit 2021. Në rastin e parë autoritetet sekuestruan 446 kg kokainë në Holandë dhe në rastin e dytë 69 kilogram kokainë në Brazil.

Lëvizja e kokainës bëhej nga Amerika e Jugut nëpërmjet kontejnerëve frigoriferikë të cilët transportonin mish ose lëng limoni të koncentruar.

Vendimmarrje në këtë iniciativë kishte Ismail Zeneli, të cilin Eralb Breçani dhe të tjerët e respektonin për shkak të eksperiencës që kishte në trafikun e drogës.

Zeneli për shkak hasmërisë ka planifikuar të vrase dhe dy vëllezërit Nela. Për të arritur këtë ai ka kërkuar ndihmën e punonjësit të policisë Dedan Gjonit i cili gjurmonte familjarët duke u bërë kështu bashkautor në krim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA