Pas atyre të ditëve që kaluam nga i ftohti polar tashmë po kalojmë një periudhë tranzitore, për të qenë në stinën e dimrit.
Masat ajrore jugore që kanë përfshirë vendin tonë kanë ndikuar në rritjen e temperaturave të cilat kanë qenë më se të ndjeshme, krahasuar me ditët që lamë pas.
Eneida Doçi, sinoptikane e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak tha: “Ditën e sotme vlerat minimale u resgjistruan në Korçë me 7 gradë dhe vlerat maksimale do të arrijnë 22 gradë si zonat e ulëta po ashtu dhe bregdet.
Edhe ditën e nesërme do të kemi po të njëjtën situatë meteorologjike ku moti do të jete me kthjellime dhe vranësira. Reshjet prezente në veri dhe në jug ndërsa era do të vazhdojë të ketë intensitet nga kuadrati i jugut 2-9m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës fiton shpejtësi 13-19m/s shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-4 ballë. Temperaturat do të jenë me rritje të lehtë prej 2 gradësh.
Situata ndryshon ditën e Diel ku depërtimi i masave ajrore të lagështa do të sjellë reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit. Era do të kthejë Veri-Perëndim, Jug-Perëndim dhe temperaturat do të pësojnë rënie.
Ditën e Hënë dhe të Martë do të kemi kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme dhe reshjen do të jenë me intensitet të ulët përqendruar në relievet kodrinore-malore.
Ditën e Mërkurë parashikohen kushte të paqëndrueshme atmosferike me reshje shiu të herëpasherëshme, shtrëngata e stuhi të cilat lokalisht në periudha afatshkurtra, mund të shfaqen problematike. Reshjet e borës do të jenë prezente në Alpe dhe relievet malore në veri e verilindje të vendit me intensitet të ulët.
Ditën e Enjte dhe të Premte kushte relativisht të qëndrueshme me reshje të pakta lokale në relieve të kodrinore-malore.”
Top Channel