Top Channel ka siguruar videon e momentit kur polici u përplas nga një makinë në vijat e bardha, natën e kaluar
Një pamjet e kamerave të sigurisë, duket efektivi në vijat e bardha, para Drejtorisë së Policisë Vendore Durrës. Ai nis të kalojë rrugën dhe më pas sheh makinën që po vinte me shpejtësi të lartë. Ai vrapon, por makina ecën aq shpejt, sa e përplas dhe e ngre në ajër.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:35, në lagjen nr. 8, të qytetit bregdetar. Polici ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, e vizitoi sot në spital, ndërsa kërkoi të rritet ndëshkueshmëria ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.
Balla tregoi se do të propozojë një paketë ligjore, që parashikohet të ndëshkojë shkelësit e rregullave të qarkullimit në perimetrin e sigurisë së shkollave, në qendrat e banuara e pranë institucioneve:
“Ne jemi duke përgatitur propozime të reja për ndryshime në Kodin Rrugor, sepse e vërteta është që nuk mund të përballohet dot një situatë e tillë e sigurisë rrugore pa rritur ndëshkimet për të gjithë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Shumë shpejt do t’i bëjmë publike propozimet tona. Në fakt kemi mbledhur edhe nga njësitë tjera, struktura të tjera, njësitë e qeverisjes vendore, propozime që lidhen më kufizimet e shpejtësisë, pa harruar këtu çështjen e perimetrit të sigurisë në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla. Sepse dikush që ecën me shpejtësi brenda perimetrit të sigurisë së një shkolle, nuk mund të ndëshkohet njëlloj sikur në një rrugë tjetër normale”.
Drejtuesi i automjetit u shoqërua në komisariat. Nuk dihet nëse drejtuesi i mjetit, që po lëvizte tej normave të lejuara të shpejtësisë në një zonë të banuar, ishte nën efektin e alkoolit.
Top Channel