Shkodra ka nisur të ndriçojë e të zbukurohet si asnjëherë më parë.

Ngjyrave festive që kanë veshur tashmë çdo pjesë të qytetit do t’i shtohen dhe tingujt e gëzimit të njerëzve që do të mund të argëtohen përgjatë gjithë dhjetorit tek shtëpizat e “fshatit festiv”, të cilat për herë të parë janë vendosur përgjatë pedonales, për të çelur kështu rrugën e fillimit të një tradite të bukur, traditës së përvitshme që do t’i shtojë kryeqendrës së veriut hijeshinë dhe bukurinë e festave të fundvitit.

Shkodra do të gumëzhijë edhe nga tingujt e muzikës, këngëve e valleve, nga artistë shkodranë e të ftuar, të cilët do të performojnë në ditë të ndryshme, përgjatë gjithë dhjetorit. Kalendari i aktiviteteve që pritet të jetë i larmishëm ka nisur që sot me ceremoninë e ndezjes së dritave të pemës së Krishtlindjes, në prani të fëmijëve artistë shkodranë, qytetarëve dhe kryetarit të bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili po kujdeset vetë për çdo detaj të festimeve të fundvitit në qytet.

Ishte kjo si një hapje zyrtare e festimeve që Shkodra po ofron për herë të parë këtë fundvit, me ftesën e përzemërt “Gzo n’Shkodër!”, drejtuar jo vetëm qytetarëve të saj, emigrantëve që do të kthehen në Shqipëri, por edhe gjithë turistëve që mund të zgjedhin festën e këtij qyteti, si destinacion të këtij dhjetori.

Kështu, përveç bukurive të pamata natyrore që qyteti ofron e që janë aq të preferuara në dimër, tashmë në këto ditë festive Shkodra do të ofrojë edhe atmosferën e festës së qytetit, me shtëpizat ku do të ofrohet shumëçka, që nga vera e ngrohtë, deri te kraftet e dhuratat e personalizuara apo ushqimi i shijshëm në stilin street food dhe koncertet e shumta, të cilat do të kulmojnë me koncertin e madh të Krishtlindjes dhe atë të ndërrimit të viteve.

Pra janë të shumta arsyet me pranu ftesën “Gzo n’Shkodër!”, për çdo ditë të dhjetorit, kur Shkodra do të festojë si kurrë më parë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA