Buxheti 2024/ Veliaj: Shkolla, kopshte me të njëjtën cilësi si në qendër, edhe në periferi

01/12/2023 17:27

Kopshtet, shkollat dhe çerdhet e reja që janë ndërtuar dhe do të ndërtohen në kryeqytet gjatë vitit të ardhshëm, u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2024, nga shkolla e re “Kosova”.

“Kemi pasur 20 kopshte të reja dhe kemi rikonstruktuar 34 të tjerë. Në 2023 kemi përfunduar katër kopshte të reja dhe në vitin 2024 planifikojmë edhe 2 kopshte të tjera: Kopshti 37 dhe kopshti në Arbanë. Për 10 kopshte të tjera na duhet të gjejmë hapësirat dhe bashkia është gati të paguajë qiranë. Sa i përket çerdheve, kemi 9 çerdhe të reja dhe 22 të rikonstruktuara gjatë vitit 2023. Nëse kompanitë e mëdha kanë mundësi që në vendin e punës të krijojnë një hapësirë për çerdhe, është ndihmë e madhe sepse ulet volumi në çerdhet publike, dhe ne mund ta ofrojmë atë shërbim te vendi i punës. Nëse ecim në këto investime të bashkisë, pra marrja me qira dhe çerdhja te vendi i punës, do të kemi një qytet më të mirë sa i përket kujdesit të fëmijëve. Po ashtu, kemi planifikuar që në vitin 2024 të ndërtojmë kopshtin dhe çerdhen te ish-shkolla 9-vjeçare ‘Migjeni’”, tha Veliaj.

Fokusi i buxhetit këtë vit do të jetë edhe te shkollat profesionale, sipas kryebashkiakut, që tha se në këtë mandat do sigurohet që edhe shkollat në Krrabë, Pëllumbas, Ibë e në Dajt të jenë më të njëjtën cilësi si shkollat në qendër të Tiranës.

Ai renditi edhe disa shkolla të reja që do ndërtohen në njësitë 2, 5 dhe 13.

“Do të kemi një shkollë 9-vjeçare si ‘Dritëro Agolli’ pranë Kopshtit Botanik, në hapësirën e ruajtur mes pallateve. Për të gjithë ata që janë pjesë e politizimit të punëve publike në Kopshtin Botanik, sqaroj se nuk do të prekim asnjë sipërfaqe të tij. Në cep të Kopshtit Botanik është një pronë, tashmë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, e cila nuk ka lidhje me kopshtin. Në Sauk kemi dy hapësira të planifikuara për shkolla: një hapësirë është brenda në oborrin e Akademisë së Policisë, kurse hapësira tjetër është te Spitali i Arabit. Ambicia ime është që, me të mbaruar këtë mandat, të kemi zgjidhur përfundimisht shkollat në Njësinë 2, në zonën e Liqenit të Thatë dhe Njësinë 13”, u shpreh ai.

Top Channel