Stefano Pioli, ka ende besimin e Gerry Cardinale. Është ky përfundimi i takimit të zhvilluar në Milanello mes trajnerit dhe pronarit të Milanit.
Por siç bëjnë të ditur mediat italiane, është një besim tanimë jo i pakufizuar, dhe që do të kushtëzohet nga rezultatet në vashdim. Më saktësisht nga vendi i katërt në kampionat, objektiv minimal dhe i panegociueshëm.
Aktualisht kuqezinjtë ndodhen në vendin e 3-të me 5 pikë më shumë se Roma, një avantazh që duhet ruajtur me çdo kusht. Për këtë arsye ndeshja e së shtunës mbrëma me Frosinonen merr një vlerë të veçantë, pasi Milani e ka të ndaluar të humbasë.
Me një këmbë e gjysmë jashtë Championsit, puna e Piolit do të gjykohet pothuajse ekskluzivisht nga ecuria në kampionat e Giroud me shokë. Hapat e tjerë fals janë të ndaluar, pasi në rast se pësohen të tjera humbje duke vënë në rrezik kualifikimin në Championsin e ardhshëm, pushimi i trajnerit do të ishte i paevitueshëm.
Për momentin nuk gjejnë konfirmim pistat Galtier, Tudor, Donadoni apo Shevchenko pasi hipoteza më e mundshme është që drejtimi i skuadrës të merret nga trajneri aktual i të rinjve Ignazio Abate, i cili do të jetë në stol në një dyshe trajnerësh në fakt bashkë me Zlatan Ibrahimovic.
Gjithsesi te Milani shpresojnë që të mos jetë të detyruar të ndërmarin një rrugë të tillë, çka do të thotë që Pioli nuk mund të gabojë në ndeshjet e ardhshme./ Super Sport
Top Channel