Gjykata e Durrësit caktoi arrest në burg për 3 të arrestuarit për pengmarrjen e Blerim Hankut në Durrës.

Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, gjyqtarja Entela Shehdula pasi ka dëgjuar palët, la në fuqi kërkesën e organit të akuzës.

Të arrestuarit do të qëndrojnë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.

Pengmarrja ndodhi pranë një lokali në zonën e plazhit për një hesape droge. Tre të arrestuarit e morën me forcë Blerim Hankun, banor i Durrësit, dhe e futën në një automjet “ BMW X5”. Tri ditë më parë një 30-vjeçar u mor peng nga 3 persona për një borxh të pretenduar prej 6 mijë paund, që i kishte njërit prej autorëve. Blerim Hanku u rrëmbye nga shtetasit Iljaz Kotarja nga Paskuqani dhe Geri Cani dhe Jurgen Delia.

Nga hetimet paraprake rezultoi se Iljaz Kotarja, 27 vjeç, të cilit pretendohet se ia kishte edhe borxhin ka qenë në rolin e organizatorit të pengmarrjes.

Hanku dhe Kotarja ishin njohur me njëri-tjetrin gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit me burg në Britani të Madhe, të dy për trafikim të lëndëve narkotike.

Pasi e rrëmbyen të riun, pengmarrësit u nisën në drejtim të Shkozetit, por forcat e policisë ndërhynë, duke bërë të mundur lirimin e 30-vjeçarit. Policia arrestoi 3 shokët pengmarrës, të cilën janë nën akuzë për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ka dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA