Vrasja me dashje e mbetur në tentativë e një 33-vjeçari në qytetin e Kavajës ka çuar në pranga dy persona, ndërsa një i tretë ndodhet nën hetim në gjendje të lirë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e këtij lokali të vogël në lagjen nr.4 të qytetit, pranë ish-stacionit të trenit. 33-vjeçari është qëlluar me sëpatë në kokë gjatë një konflikti për motive të dobëta nga një bashkëqytetar 52-vjeçar.
Gjendja e tij është e rëndë dhe është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar dhe pronarin e lokalit i cili akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe njëkohësisht për organizimin e veprimtarisë së kundërligjshme të lojëra të fatit.
Pronari i lokalit ka tentuar ta fshehë krimin duke deklaruar se 33-vjeçari është rrëzuar nga shkallët dhe ka pësuar dëme të rënda në kokë.
Ndërkohë policia e Kavajës gjatë veprimeve të para të saj ka sekuestruar armën e krimit, një sëpatë, dhe dy aparate celularë që i përkasin pronarit të lokalit dhe një qytetari tjetër që u gjet teksa luante lojëra fati brenda lokalit. Policia vijon hetimet që po udhëhiqen nga Prokuroria e Durrësit.
Top Channel