Dëshmitari i fundit në procesin për Gërdecin ishte ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai.
“Ndiqja zbatimin e detyrave, s’kam bërë ndonjë procedurë për Gërdecin, kompania e demontimit na solli ofertën për procesin, kundrejt pagesës. Shtabi kërkonte licensim për këtë procedurë, bëri një memo për këtë, më pas realizova takimin me kompaninë peretodologjinë e procedurat, nga MM dhe SHTABI. Ishte takim njohës, jo konkludues, m’u bë një kërkesë që t’i drejtohesha ndërmarrjeve ushtarake, në një kohë të shkurtër erdhi përgjigjia, u ngrit grupi i punës për analizën e situatës, më pas doli urdhri i ministrit për grupin e punës.
Nga drejtoria përkatëse m’u tha se s’kishte bazë ligjore dhe kërkohej një VKM, Mejko solli një memo, ku thuhej se duheshin demontuar municionet e viteve ’50 të cilat nuk shiteshin për shkak të vitit të vjetër të prodhimit. Pas daljes së konkluzionit të grupit të punës, dolën çmimet për shitjen dhe demontimin. Nisi hartimi i një VKM. I kam dërguar shkresë drejtorive përkatëse për ofertat e ndërmarrjeve ushtarake, siç ishte ndërmarrja e huaj SAC. Ka pasur disa fakse të ardhura në shifra që ia kalova komisioneve përkatëse”, tha ish-sekretari i Përgjithshëm.
Në pyetjen e Prokurorit ‘nëse ka patur licensë SAC’, dëshmitari u përgjigj: “Ishin paraqitur licensa, 4 mesa mbaj mend. MEICO ishte shoqëria qe mbante kontaktet me kompaninë SAC përfshirë këtu edhe për licensimin.”
‘Si u përzgjodh Gërdeci?’, ishte pyeta tjetër e prokurorit.
“Në diskutimet me MEICO më duket kishte marrëveshje dypalëshe me SAC, ku mes të tjerash ishte përcaktuar si lokacion Gërdeci.”
Nëse kishte apo jo licensë reparti i Gërdecit dëshmitari përgjigjet: “Praktika e licensimit nuk varet nga sekretari. Në çdo praktikë që unë kam kaluar edhe në të shkuarën, nuk ishte në përgjegjësinë e sekretarit apo ministrit përcaktimi nëse licensa e një reparti ishte e duhur apo jo. Ishte MEICO që e përcaktonte.”
Lidhur me kompaninë AlbaDemil, një degëzim i SAC, nëse kishte dokumentacionin e duhur apo jo, ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, përgjigjet:
“Marrëveshja përmendte vetëm SAC, nuk përmendej AlbaDemil, nuk kam dijeni, sepse AlbaDemil nuk figuronte në asnjë shkresë. Nuk është bërë asnjë verifikim për shkak se nuk figuronte. Nuk e njoh as Mihal Deliorgjin (drejtuesin e kompanisë AlbaDemil).”
Ndërsa i pandehuri Fatmir Mediu e pyeti ish-vartësin e tij se kush e përcaktonte buxhetin, ministri apo shtabi?
“Ministria e Mbrojtjes kishte një veçori ne ndryshim nga ministritë e tjera, buxheti i të cilave përcaktohej nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes, buxheti përcaktohej nga Shtabi i Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.”
Ish ministri e pyeti dëshmitarin, ‘nëse në takimin me kreun e SAC Patric Henry ka qenë prezent apo jo vetë ai.’
Dëshmitari u përgjigj “jo”.
Ndërsa pyetjes nëse ndonjëherë municionet janë shitur me ankand ai u përgjigj negativisht.
Në fund, ish-ministri e pyet: ‘Ju keni qenë i akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim me ish-ministrin e mbrojtjes, si ju kanë gjetur të treja shkallët e gjyqësorit?’
“Të pafajshëm”, tha dëshmitari.
Top Channel