Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka ndaluar shefin e kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, Stiljan Pasho, pasi dyshohet për përfshirje në trafikimin e lëndëve narkotike.

Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Informacioni për kryekomisarin ka qenë i administruar nga sektori i AMP Korçë, të cilët në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë patur në procedim penal të ndjekur me metoda speciale, prej disa javësh.

Nga veprimet hetimore të kryera nga AMP, dyshohet se kryekomisari ka shfrytëzuar pozicionin si shefi i Policisë Kufitare Korçë, për të favorizuar trafikimin e lëndëve narkotike në Pikën Kufitare Kapshticë. Veprime të tilla janë kryer në intervale të ndryshme kohore. Rasti i fundit ka qenë më 27 nëntor, ku kryekomisari favorizoi shtetasin Lorenco Lika të kalojë kufirin pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në automjet.

Top Channel mëson se Pasho ka shoqëruar personalisht Lorenco Likën për të kaluar mjetin tip “Passat” nga pala shqiptare drejt kufirit grek, duke e kaluar edhe vetë kufirin. Më pas ai ka dalë nga mjeti, duke u kthyer mbrapsht. Në disa raste ky punonjës policie ka lëvizur edhe vetë në mjet me shtetasin e arrestuar, dhe një shtetas tjetër, fakt i provuar edhe nga sistemi TIMS dhe kamerat e sigurisë. Droga ndodhej në pjesën e bomblës së gazit në bagazh.

Informacionet janë përcjellë tek homologët grekë, të cilët bënë të mundur arrestimin e dy të rinjve dhe sekuestrimin e 26 kg lëndë narkotike në shtetin grek. Hetimet në kuadër të këtij procedimi vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në aktivitet të paligjshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA