Rrugët tona përgjaken sërish si pasojë e aksidenteve rrugore.
Mbrëmjen e djeshme, një tjetër aksident u shënua në autostradën Lezhë-Shkodër, ku viktimë mbeti Martin Pjetri 68 vjeç, i cili u përplas për vdekje nga një makinë ende e pa identifikuar.
Autostrada Lezhë-Shkodër mban numrin më të lartë të aksidenteve rrugore si pasojë e mos respektimit të rregullave të qarkullimit, sidomos nga ana e drejtuesve të automjeteve të cilët kalojnë shpejtësinë tej normave të lejuara.
Edhe parakalimet e gabuara mbeten një nga arsyet që sjellin aksidente në këtë aks rrugor. Gjithashtu mungesa e ndriçimit të theksuar përgjatë kësaj autostrade e bën më të vështirë dallimin e kalimtarëve, të cilët anësoren e kësaj autostrade e përdorin për të ecur, pasi kjo autostradë lidh Lezhën me disa nga fshatrat e saj dhe sidomos gjatë orëve të mbrëmjes është e pamundur të dallohen kalimtarët të cilët ecin në anë të saj.
Të paktën në çdo 50 metra të kësaj rruge teksa vjen nga Lezha për në Shkodër gjenden të tilla përkujtimore të vendosura nga familjarët e personave të cilët kanë humbur jetën në aksidente rrugore.
Si pasojë e aksidenteve të shumta, policia ka shtrënguar masat duke vendosur makinën inteligjente po ashtu nuk mungojnë dhe kontrollet e shumta nga ana e efektivëve të qarkullimit rrugor por fatkeqësisht kjo nuk i ka ndërgjegjësuar drejtuesit e mjeteve, të cilët ecin me shpejtësi tej normave të lejuara, apo drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit, duke sjellë aksidente të rënda siç ishte dhe ai i mbrëmjes së djeshme ku humbi jetën një 68-vjeçar.
Top Channel