Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë rreth orës 15:30 të kësaj të mërkure shtëpinë e të moshuarve në Fier.

“Rreth orës 15:30 në shtëpinë e të moshuarve Fier, në katin e dytë, ka rënë zjarr. Të gjithë të moshuarit janë evakuuar dhe disa prej tyre janë dërguar në spital për asistencë mjekësore pasi nuk janë ndjerë mirë për shkak të tymit”, njofton policia.

Zjarri ka rënë fillimisht në një depo pranë shtëpisë së të moshuarve. Flakët janë pikasur fillimisht në katin e dytë, duke shkaktuar dëme materiale ndërkohë që në panik 51 të moshuarit mes tymit e flakëve kanë dalë në oborr.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve, dhe ambulancat të cilat kanë transportuar drejt spitalit rajonal të Fierit 16 prej të moshuarve me probleme shëndetësore, për asistencë mjekësore.

Ndërkohë kryebashkiaku Armando Subashi, ka pohuar se fatmirësisht ky zjarr nuk pati pasoja të dëmshme, ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë e një godine të re.

Në pamjet e siguruara nga Top Channel shihet se si të moshuarit kanë dalë jashtë të ndihmuar edhe nga stafi që kujdeset për ta dhe gjendja e tyre duket se është tejet e vështirë. Ata kanë pritur jashtë mbërritjen ambulanca për të marrë ndihmën e nevojshme.

Punonjësit u kanë ardhur në ndihmë atyre dhe i kanë qëndruar pranë deri në mbërritjen e mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ishte mbrëmjen e sotme në spitalin rajonal të Fierit, për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të të moshuarve të cilëve iu rrezikua jeta mesditën e sotme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA