Arrestimi i bujshëm i dy të rinjve në Elbasan, të dyshuar për arsenal armësh dhe eksplozivi dhe planeve që hartonin për të kryer vrasje hasmërish, është mbyllur me dështim dhe në heshtje.

Rigers Spahiu dhe Luis Gaxhi nga arrest me burg u dërguan nga gjykata në arrest shtëpie, me argumentin se ju ka përfunduar afati i paraburgimit.

Shtatë armë, mes tyre 4 automatikë, 3 pistoleta me silenciatorë dhe lëndë plasëse e montuar në aparate telefoni ishin arsyeja se përse u prangosën një vit më parë Gaxhi dhe Spahiu që të dy të dyshuar se po planifikonin të vrisnin një biznesmen, tha në atë kohë Policia e Elbasanit.

Rigers Spahiu nga kartelat policore rezulton të jetë vëllai i Arjan Spahiut vrarë në Belgjikë e po ashtu lidhje e Erjon Alibeaj, një personazh i njohur i botës së krimit në këtë qytet.

Nga aktet hetimore rezulton se për armët e sekuestruara për të cilat u ngritën akuza ndaj Spahiut dhe Gaxhit, është kryer ekspertim mbi profilet gjenetike edhe ndaj Erjon Alibeaj, i cili mbahet në burg dhe nëntë personave të tjerë në Elbasan që të gjithë të njohur. Por hetimet një vjetore për armët që u gjetën në shtëpinë e Luis Gaxhit nuk patën finale bindëse për të ngritur akuza ndaj të dyve.

Një eksperte e policisë shkencore i thotë prokurorisë se ky institut ka spektër të limituar për të zbuluar çdo lloj lënde plasëse dhe për këtë shkak akt ekspertizën e ka kryer njësia speciale antieksploziv që konfirmon se materiali shpërthyes është bombë e montuar, e telekomanduar dhe e gatshme për të kryer shpërthim.

Dy të rinjtë që u liruan për shkak të vonesave të akt ekspertizave këmbëngulin se nuk kishin dijeni për armët. Spahiu dhe Gaxhi nuk kanë dhënë shpjegime për lëndën plasëse dhe nuk kanë pranuar të japin kodet e telefonave personalë.

Megjithatë për telefonat e montuar në bomba, kompanitë telefonike kanë dhënë pëgjigjet e tyre.

Nga akt ekspertizat në telefona dhe në kartat sim rezulton se njëri telefon ishte në emër të një shtetasi shqiptar dhe tjetri në emër të brazilianit Glauber Gomes Dos Santos, i cili nga këqyrjet telefonike rezulton se ka hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2022.

Dy gjykata edhe shkalla e parë edhe e Apelit urdhërojnë lirimin e dy të dyshuarve që mbahen nën arrest shtëpie për dyshimet se Rigers Spahiu po përgatitej të kryente vrasje për hakmarrje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA