Nga BRIAN FUNG, CNN – Elon Musk është kthyer në një lojtar gjithnjë e më të rëndësishëm në çështjet globale.

Themeluesi i SpaceX ka qenë në turne nëpër botë muajt e fundit për t’u takuar me liderë global, mirëpo deklaratat, mesazhet dhe veprimet e kryera në mediet sociale dëshmojnë se ai është tërësisht i papërgatitur për lidershipin botëror. Megjithëse ka grumbulluar kontroll gjithnjë e më shumë përmes levave të pushtetit si platforma X, Starlink dhe platformave të tjera teknologjike, retorika dhe sjellja e Musk po e pengon atë të jetë një lider botëror.

Disa ditë pasi përqafoi publikisht një teori konspirative antisemitiste të favorizuar nga supremacistët e bardhë, Musk u detyrua të vetëkorrigjohet pas vizitës në Izrael dhe takimit me kryeministrin Benjamin Netanyahu; ndërsa deklaroi mbështetjen për shkatërrimin e Hamasit nga Izraeli.

Nuk është hera e parë që Elon Musk-ut i është dashur të rregullojë retorikën pas përballjes me antisemitizmin në X.

Më herët në shtator, ndërsa ishte në konflikt me “Lidhjen Anti-Shpifje” për sulmet e kryera kundër filantropit George Soros dhe urrejtjes në rritje kundër hebrenjve në X, Musk theksoi përballë Netanyahut se ishte kundër antisemitizmit.

Qasja e Musk ndaj tematikave të urrejtjes ndaj hebrenjve kanë qenë në fokus të interesit publik dhe ai është përpjekur vazhdimisht t’ua “mbyllë gojën” akuzave ndaj tij për antisemitizëm.

Por mesazhet që shpesh Musk përcjell, e mbajnë gjallë kritikën. Paaftësia për të hedhur poshtë akuzat që i bëhen pasqyron një luftë më të thellë dhe akoma më domethënëse midis dy gjysmave të Musk: njëra anë e tij që dëshpërimisht përpiqet ta shohin si një lider botëror serioz dhe me ndikim; dhe ana tjetër ku ai qëndron i zhytur në një dhomë dhe i bën jehonë ekstremizmit në internet.

Të hënën, Musk i përmblodhi propozimet e tij për Netanyahun në këtë formë: “Ata që synojnë të vrasin duhet të neutralizohen; hapi tjetër pas kësaj është ndalja e propagandës që po i trajnon njerëzit të jenë vrasës në të ardhmen; dhe në fund kthimi i Gazës në një vend të begatë. Nëse kjo ndodh, mendoj se do të jetë një e ardhme e mirë…. Dhe do të doja të ndihmoja.”

Por ai nuk ka pranuar ende se çfarë e bëri që të ndryshonte pozicion nga pretendimi i tij antisemitist se hebrenjtë duan të sjellin popullsi të pakicave në vendet perëndimore për të reduktuar shumicën e të bardhëve në ato kombe – një deklaratë që është dënuar gjerësisht nga Shtëpia e Bardhë dhe liderë të tjerë në mbarë globin.
Sa më shumë që Musk t’i japë hapësirë dezinformimit dhe teorive të konspiracionit, aq më pak i pajisur dhe serioz bëhet ai për t’u marrë me çështje globale. Po ashtu, aq më i prekshëm është ai ndaj manipulimeve nga autoritarët dhe aktorët e paskrupullt që do të kërkonin të përdornin ndikimin e tij për qëllimet e tyre.
“Duke mirëpritur dhe gjetur ngushëllim në praninë e personave me pikëpamje ekstreme, Musk rrezikon të bjerë në një kurth të ngjashëm që ka zënë në grackë individë dhe familje të panumërta më parë, duke i shfrytëzuar ata për dezinformim”- thotë Matthew Facciani, një studiues i dezinformimit dhe edukimit mediatik në Universiteti i Notre Dame.

Për vite me radhë, Musk e ka imagjinuar veten si një ndikues në skenën botërore.
Deklaratat forta që Musk ka bërë më herët për ta bërë njerëzimin një specie ndërplanetare ishin disa nga treguesit e parë se të rëndësishëm e shihte dhe e perceptonte ai veten.

Musk jo vetëm që u bë pjesë e kontratave qeveritare, por ka qenë gjithashtu i gatshëm të ndërhyjë në luftërat kulturore, apo edhe në luftërat aktuale, si në rastin e pushtimit rus të Ukrainës; Nga zbulimi i një “plani paqeje” që u vu në lojë gjerësisht nga të dy palët, deri te sugjerimi i një zgjidhjeje për të ardhmen e Ukrainës përmes një përleshjeje me grusht me presidentin rus Vladimir Putin.

Musk është përpjekur të luajë rolin e udhëheqësit edhe në politikën amerikane; me fushatën presidenciale të guvernatorit republikan të Floridës, Ron DeSantis në X dhe promovimin e ofertës së Shtëpisë së Bardhë për skeptikët e vaksinave.

Musk ka kërkuar vazhdimisht një pozicion kyç në rendin gjeopolitik, megjithëse duket qartë se nuk e kupton plotësisht konfliktin.

Pas vizitës në një nga zonat e goditura nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit, Musk bëri një diagnozë të konfliktit të Izraelit.

“Në përgjithësi mund të pajtohemi se të gjithë duam një të ardhme të mirë për palestinezët”- i tha Musk, presidentit Netanyahu, duke shtuar se: “Sfida e vërtetë është se si mund të shpëtoni nga ata që janë të prirur për të vrarë hebrenjtë, duke minimizuar viktimat civile, dhe përfundimisht ndaluar llojin e propagandës që po i bind njerëzit të përfshihen në vrasje?”

Dëshira e fundit e Musk për t’u futur në ngjarjet më të mëdha të gjeopolitike të ditës flet për rolin ndikues që ai luan në të ardhmen e shoqërisë: ai po shtron rrugën drejt së ardhmes; me raketat e tij, rrjetin satelitor, makinat elektrike dhe kontrollin e një prej rrjeteve sociale më të rëndësishme në botë.

Qasja e tij në burime, afërsia e tij me njerëzit që zotërojnë pushtetin aktual dhe nevoja e dukshme kronike për vëmendje dhe pranim, të gjitha janë kombinuar për ta çuar atë në qendrën e skenës botërore, pavarësisht aftësive të tij.

Pengesë, sjellja e edgelordit*?

Musk mund të dëshirojë të ketë ndikim mbi çështjet globale aq sa edhe një burrë shteti i nivelit të lartë. Por lidhja në rritje që ka me ekstremizmin online, e bën atë të dalë jashtë kornizave të nevojshme për llojin e liderit botëror që ai e imagjinon veten të jetë.

Ka shumë liderë botërorë që kanë pikëpamje ekstreme ose të djathta ekstreme, sigurisht, por Elon Musk nuk e shfaq veten si një nga këta.

Në vend të kësaj, ai trumbeton fuqishëm gatishmërinë për të mbrojtur vlerat demokratike të lidhura tradicionalisht me demokracitë kryesore liberale, duke përfshirë lirinë e fjalës dhe lirinë individuale.

Imazhi që ai paraqet është ai i një kampioni të rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo është pjesërisht arsyeja pse është kaq e frikshme kur ai flet me terma të antisemitizmit, homofobisë, ksenofobisë etj, duke mbushur me urrejtje abonentët që paguajnë X.

Sjellje të tilla nuk bëhen nga asnjë lider botëror serioz, madje as nga ata që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë kundërshtarë të tyre.

Shpërthimet e Musk që bien ndesh me normat dhe vlerat ndërkombëtare janë të destinuara për një audiencë specifike të internetit, jo për atë që ai gabimisht e konsideron si përfaqësuese të botës së gjerë.

“Mediat sociale ofrojnë një mënyrë të thjeshtë për të gjetur një komunitet njerëzish me të njëjtin mendim. Kjo mund të jetë e shkëlqyeshme për ndërtimin e komunitetit brenda shumë grupeve të ndryshme, por gjithashtu do të thotë që ne mund të gjejmë mbështetje edhe midis grupeve më ekstreme politikisht”, tha Facciani.

E thënë ndryshe, goditjet e vazhdueshme me kamzhik që lindin sa herë që Musk bën një vërejtje provokuese edhe pse më pas “ndërron mendje” është rezultat i drejtpërdrejtë i përplasjes e dy botëve; ai i internetit me atë të jetës reale.

Për sa kohë që Musk “noton në një det” reaksionizmi transgresiv, përpjekjet e tij për të marrë mantelin e një burri shteti serioz do të konsiderohen përgjithmonë si joserioze në rastin më të mirë dhe të rrezikshme në rastin më të keq.

* sjellja e edgelordit term që përdoret zakonisht në internet, kur një person përpiqet të lërë përshtypje ose të tronditë rrjetin duke postuar opinione të ekzagjeruara si nihilizmi ose pikëpamjet ekstremiste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA