“Një flamur dhe një fjalor”. Gjuha shqipe është cilësuar si gjuhë e mbijetesës, pasi ka mundur t’ju mbijetonte sfidave historike në kohë të vështira.
I ftuar në “Top Story”, gazetari Marin Mema ka deklaruar se shqiptarët e kaluan fazën delikate me të cilën u përballën në fillim të viteve ‘90, dhe tani është momenti i tyre të ngrenë kryet dhe shpalosin një lloj krenarie për identitetin e tyre kombëtar.
Mema: Kam ardhur nga New York-u në 27 Nëntor për të qenë në Shqipëri për 28 dhe 29 Nëntor.
Duma: Je personi që identitetin shqiptar e ke simbol edhe të profesionit tënd.
Mema: Sepse besoj se një komb i fortë duhet domosdoshmërisht të eci në hapat e një historie të fortë identitare. Pa pasur një histori, një trashëgimi, një kulturë, nuk do të ecim kurrë para. Sado që të jenë përpjekur të na thonë që patriotizmit i ka ikur koha, jetojmë në një botë ndryshe, ne do të ikim në BE, ne do të shkojmë aty si shqiptarë.
Vendet më të forta në botë janë ato që kanë kombin e fortë. Marrim SHBA-në, Gjermaninë, Francën, Anglinë, janë kombe të forta. Ne nuk do të ecim kurrë para pa një komb të fortë.
Duma: Ka një rikthim tek ndjenja kombëtare dhe patriotizmi që nuk ishte ndoshta 7-8 vite më përpara. Ka një rikthim tek kombëtarja, te këngët me fokus epik dhe patriotik. Ka një kthim te interesi edhe për gjurmë shqiptare.
Mema: Besoj se shqiptarët e kanë kaluar fazën e parë delikate, ato vështirësitë e para ekonomike që u shfaqën pas viteve ’90, ku të gjithë u larguan dhe u përpoqën të mbijetonin në vendet ku shkuan. Sot po përpiqen të gjithë kudo që janë, që me këtë përmirësim të statusit të tyre, të ngrenë kryet dhe të kenë një lloj krenarie për identitetin e tyre kombëtar.
Top Channel