Foshnja 10 muajshe mbahet peng nga Hamasi, të afërmit: Nuk e dimë nëse është gjallë

29/11/2023 08:59

Një foshnjë vetëm 10 muajshe, Kfir Bibas, ka kaluar më shumë se një të pestën e jetës në robëri.

Kfir Bibas u rrëmbye nga militantët e Hamasit nga shtëpia e tij në Izrael më 7 tetor. Më shumë se 50 ditë që nga rrëmbimi nga militantët e Hamasit nga shtëpia e tyre në jug të Izraelit, familja e Kfir thotë se nuk e dinë nëse fëmija i tyre është gjallë.

“Ne jemi të shqetësuar për të. Nuk jemi të sigurt nëse mund tja dalë”, tha Eylon Keshet, një kushëri i familjes për CNN, duke mbajtur në dorë një fotografi të djalit të vogël.

Kfir, vëllai i tij katër-vjeçar Ariel, nëna Shiri, dhe babai i tyre Yarden u rrëmbyen nga Nir Oz, një kibut izraelit që u shkatërrua kur u sulmua nga militantët e Hamasit më 7 tetor. Sulmuesit vranë më shumë se një e katërta e komunitetit dhe rrëmbyen dhjetëra të tjerë, ndërsa qëlluan në shtëpitë e njerëzve, plaçkitën dhe shkatërruan atë që mundën.

Të hënën, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari tha se familja Bibas  aktualisht nuk mbahet peng nga Hamasi , gjë që ndërlikon më tej përpjekjet për lirimin. Emrat e Kfir, Ariel dhe Shira nuk janë ende në listën e pengjeve që pritet të lirohen.

Rreth 1200 njerëz, shumica civilë, u vranë nga Hamasi në të gjithë Izraelin jugor atë ditë, sulmi më i madh terrorist ndaj Izraelit që nga themelimi i vendit në 1948.

Më shumë se 14,800 palestinezë, përfshirë 6,000 fëmijë, janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi ofensivën e tij në përgjigje të sulmeve terroriste të Hamasit të 7 tetorit, sipas shifrave nga Ministria palestineze e Shëndetësisë në Bregun Perëndimor, e cila merr të dhënat e saj nga Autoritetet shëndetësore të drejtuara nga Hamasi në Rripin e Gazës.

Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli ka liruar gra dhe fëmijë palestinezë nga burgjet e tij, shumë prej të cilëve kurrë nuk janë akuzuar apo dënuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA