Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken është kthyer në Lindjen e Mesme, ku do të fokusohet në zgjatjen e armëpushimit në ofensivën e Izraelit në Gaza, me qëllim lirimin e sa më shumë pengjeve dhe marrjen e ndihmës humanitare.
Ky është udhëtimi i tretë i Blinken në rajon, ku do të kryen takime në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në ditët në vijim. Sekretari amerikan i Shtetit pritet të mbërrijë në Izrael pasi armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA, Katari dhe Egjipti është në prag të skadimit.
“Ne donim të shihnim zgjatjen e pauzës sepse ajo ka mundësuar, para së gjithash, lirimin e pengjeve dhe bashkimin me familjet e tyre. Na ka mundësuar gjithashtu të shtojmë ndihmën humanitare për njerëzit e Gazës, të cilët kanë aq shumë nevojë për të. Pra, vazhdimi i armëpushimit, do të thotë definitivisht se më shumë pengje do të ktheheshin në shtëpi dhe më shumë ndihmë do të hynte në Gaza”, tha Blinken.
“Ne do të diskutojmë me Izraelin se si mund të arrijë objektivin e tij për të siguruar që sulmet terroriste të 7 tetorit të mos ndodhin më, ndërkohë që do të mbështesim dhe rrisim ndihmën humanitare dhe do të minimizojmë vuajtjet dhe viktimat e mëtejshme midis civilëve palestinezë”, shtoi më tej Blinken.
Diplomati i lartë amerikan tha se, ashtu sikurse më parë edhe në këtë udhëtim, do të përqendrohej për të siguruar që konflikti të mos përhapet, dhe në sigurimin e “të nesërmes” së Gazës.
“Tani për tani, të gjithë janë të përqendruar në atë që po ndodh momentalisht në Gaza, por ne gjithashtu duhet të jemi të fokusuar në të njëjtën kohë – dhe jemi në biseda me shumë vende të tjera – në atë që do të ndodhë nesër dhe pas kësaj. Me të nesërmen dua të them, çfarë ndodh në Gaza pasi të përfundojë fushata. Ka pyetje të rëndësishme për qeverisjen e saj, sigurinë dhe rindërtimin e saj”, tha Blinken, duke iu referuar parametrave që ai përshkroi në Japoni javë më parë për qeverisjen e Gazës.
“Këto janë biseda që ne do t’i ndjekim në ditët në vijim në javët në vijim, në muajt në vijim,” tha ai.
Top Channel