Zëdhënësi i UNICEF: Situata në Gaza është tmerruese

28/11/2023 21:54

Zëdhënësi i UNICEF, James Elder gjatë një vizite nga afër në zonën e konfliktit ka deklaruar se spitalet në Rripin e Gazës janë “zona lufte”.

Përmes një prononcimi për BBC, Elder tha se: “Fëmijët janë të shpërndarë kudo. Shkova në një spital disa orë më parë për t’u përpjekur të takoj një fëmijë që kisha parë dhe përfundova duke parë rreth 10 fëmijë të ndryshëm, të gjithë të cilëve u ishin prerë gjymtyrët.”

Zëdhënësi i UNICEF shtoi gjithashtu se në një kamp në Khan Younis, në Gazën jugore, ai dëshmoi nga afër një situatë “të tmerrshme” sa i përket higjienës dhe ushqimit.

“Kudo që kthehem ka njerëz në hapësira të vogla në kampe, në spitale,” thotë zëdhënësi i agjencisë së OKB-së për fëmijë. “Sanitare, sistemet e ujërave të zeza nuk mund të pastrohen përreth spitaleve dhe strehimoreve. Nëse kombinoni mungesën e ujit dhe ushqimit me shiun duke përhapur rrezikun e sëmundjes, kjo na tmerron”.

Top Channel