Ceremonia zyrtare e 111-vjetorit të Pavarësisë po mbahet këtë mbrëmje në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Të pranishëm në ceremony janë Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani apo kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Gjithashtu pjesë e kësaj ceremonie janë edhe krerët e institucioneve fetare në vend.

Presidenti Begaj theksoi se 28 Nëntori është festa e një populli që diti të ruajë identitetin e tij unik.

“Këtë nëntor të shekullit të dytë të pavarësisë së shtetit shqiptar, kur shumë është arritur falë përpjekjes së paepur të shqiptarëve brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, ne duhet të jemi pafund krenar për vendin tonë, këtë shtëpi të përbashkët, të Zotit dhe mikut 28 Nëntori është festa e një populli që diti të ruajë identitetin e tij unik, si pjesë e kulturës evropianë, pa shkaktuar asnjë konflikt, pa synuar asnjë territor. Shqiptarët në Ballkan e provojnë çdo ditë se si kufijtë mund të kthehen në pika takimi të mundësive, e jo mundësi të ringjalljes së konflikteve e ndasive. Miqësia e besa jonë kanë qenë e janë aq të vërteta, sa zemërgjërësia e natyrës me Shqipërinë, aq sa dhe bujaria e shqiptarëve me çdo mik. Në 28 Nëntor, 580 vjet më parë, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti për herë të parë flamurin kuq e zi në Krujë. Në 28 Nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti
flamurin dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke kthyer këtë datë të rëndësishme në pikënisjen e zgjimit kombëtare dhe shpalljen e përkatësisë sonë evropiane. Në 28 Nëntor, në Prekaz të Kosovës, lindi Adem Jashari, udhëheqës për çlirimin e Kosovës, heroi i gjithë shqiptarëve. Ata u shndërruan në simbolin tonë kombëtar, duke mishëruar vlerat më të mira të popullit tonë, bashkimin përballë rrezikut dhe pranimin e sakrificës në emër të kombit. 28 Nëntori është dita e kujtesës dhe nderimit për të shkuarën dhe e frymëzimit për të ardhmen“, tha Begaj.

Kreu i shtetit theksoi se një Shqipëri e fortë dhe demokratike është në të mirën e të gjithë faktorit shqiptar në rajon.

“Sot është dita që të kujtojmë me përulësi dhe mirënjohje sakrificën e jashtëzakonshme të shkruar me gjak të patriotëve shqiptarë, të qindra e mijëra shqiptarëve nga Vlora e Prishtina, nga Ulqini dhe Tetova, nga Shkodra dhe Çamëria, që ndezën flakën, përzunë errësirën e robërisë dhe shpallën Pavarësinë. Miq të nderuar! Një vend i vogël, aktor paqeje në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria është tashmë para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit. Këto kanë të bëjnë pikësëpari me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe finalizimin e integrimit në familjen evropiane. Me nivelin e saj të shkëlqyer të bashkëpunimit me aleatin tonë kryesor ShBA, me BE-në dhe vendet anëtare të saj, si dhe me partnerë të tjerë të rëndësishëm rajonalë e ndërkombëtarë, Shqipëria ka përgjegjësi për konsolidimin e stabilitetit demokratik, prosperitetit ekonomik, të sigurisë dhe të paqes. Zhvillimet më të fundit në arenën ndërkombëtare kanë provuar se paqja nuk është asnjëherë e sigurt dhe mirëqenia asnjëherë e mjaftueshme.”

“Kjo ditë e gjen Shqipërinë një hap më pranë Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst vlerësoj arritjet e reformës në drejtësi, e cila po jep rezultate dhe po krijon shpresë dhe besueshmëri tek publiku, por edhe tek partnerët tanë.  Gjithashtu, inkurajoj strukturat e drejtësisë të vazhdojnë të punojnë me profesionalizëm e përkushtim. Besoj se komuniteti i Bashkimit Evropian do të veprojë me hapa konkretë në drejtim të përshpejtimit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është jetike për ne dhe strategjike për Bashkimin Evropian. Ballkani Perëndimor mbetet një vatër e ndjeshme e Evropës, që mund të shfrytëzohet nga aktorë të tretë për të krijuar pasiguri. Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv për paqe, stabilitet e bashkëpunim rajonal, si vend anëtar i NATO-s, si vend aktiv në nismat rajonale, e në veçanti në atë të Procesit të Berlinit. Falë rritjes së besueshmërisë si partner dhe rolit të saj konstruktiv, Shqipëria për herë të parë u bë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe e kryesoi atë, dhe së fundmi u zgjodh anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe anëtare e bordit ekzekutiv të UNESCO-s.”

“Një Shqipëri e fortë dhe demokratike është në të mirën e të gjithë faktorit shqiptar në rajon. Pas shumë përpjekjesh dhe me ndihmën e çmuar të partnerëve ndërkombëtarë, kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon. Bashkëpunimi me Kosovën në pozita të barabarta, si dy shtete të një kombi, duhet të jetë sa më i ngushtë, simetrik dhe përplotësues. Kemi shumë ç’të mësojmë nga njëri-tjetri. Kemi edhe më shumë për të bërë që, të ngrihemi në nivelin e pritshmërive të qytetarëve tanë. Zhvillimet e 20 viteve të fundit  e kanë nxjerrë faktorin shqiptarë në një dritë të re në marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare. Të gjithë bashkë kemi detyrimin ta kthejmë këtë perspektivë të re në mundësi zhvillimi të qëndrueshëm për vendin. Angazhimi ynë diplomatik duhet të ecë paralelisht me përmirësimin e jetës ekonomike, politike dhe shoqërore brenda vendit. Shqipëria tashmë konkurron në tregun evropian dhe global me burimet e saj njerëzore. Kjo kërkon që ne të bëhemi më efektiv në ruajtjen e tyre, duke u përqendruar tek një model ekonomik që promovon iniciativën brenda një tregu të lirë, që siguron konkurrueshmërinë e drejtë dhe që shqiptarët të punojnë në vendin e tyre. Ekonomia ka njohur ritme të mira zhvillimi, ku dëshiroj të vlerësoj zhvillimin e turizmit. Vëmendje e posaçme duhet treguar për sektorë tradicionalisht të rëndësishëm si bujqësia, shëndetësia dhe në veçanti arsimi. Gjithashtu është momenti që me reformën zgjedhore, të sigurohet  vota e diasporës dhe përfaqësimi politik i saj. Këto janë sfida që nuk mund t’i nënvlerësojmë, cilatdo qofshin arritjet tona. Shqipëria nuk ndërtohet as me indiferentizëm e as me pasivitet, por me punë, vullnet, përkushtim, aktivizëm, besim te suksesi dhe natyrisht, dashuri për këtë tokë. E ardhmja nuk pritet. Ajo ndërtohet”, shtoi Begaj.

“Në këtë pikë, bëj thirrje për përfaqësuesit e shqipëtarëve në Kuvend, që kokëulur të punoni për një Shqipëri që sundohet nga ligji, që ka prioritet të mirën e të gjithëve, ku të gjithë të punojnë e jetojnë me nder e dinjitet. Në jetën tuaj parlamentare, të udhëhiqeni nga interesi kombëtar mbi dallimet ideologjike, nga kompromisi dhe jo nga konfrontimi, nga respekti dhe jo nga mllefi, dhe mbi të gjitha, nga përgjegjësia për të ardhmen dhe nga dashuria për vendin. Të parët tanë ja dolën të ngriheshin në lartësinë që kërkonte koha dhe ta shpallnin Shqipërinë shtet të pavarur. Në emër të interesit kombëtar ata arritën një bashkim historik. Sot ne kemi një mision po aq të vështirë, të punojmë për ndërtimin e një shoqërie të drejtë. Kjo është përgjegjësi e jona historike, të cilën nuk mund t’ja lëmë të tjerëve as në dorë e as në derë. Të shumtë janë ata që nuk janë dorëzuar para vështirësive dhe që ja kanë dalë të ndërtojnë një jetë të mirë këtu, në Shqipëri. Këto janë histori suksesi që na japin shpresë dhe kurajë që ky vend mund dhe do të bëhet vetëm me dëshirë, vullnet dhe besim që me punë dhe vetëm me punë arrihet suksesi. Kujtimi nuk është qëllim në vetvete. Historia është vetvetiu pa fund, sikundër është edhe përpjekja për mbrojtjen e lirisë, identitetit kombëtar dhe  vlerave demokratike. Sot është radha jonë të mbajmë stafetën e kësaj përpjekjeje. Ta mbajmë me nder, përulësi dhe të ndërgjegjshëm për kurajën dhe vendosmërinë e patriotëve që ndezën flakën e pashuar të pavarësisë”, u shpreh Begaj.

 Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga pritja e ceremonisë për 11-vjetorin e Pavarësisë.

“Në pritjen zyrtare të Presidentit të Republikës për kremtimin e 111 vjetorit”, shkruan Rama në Facebook.

FOTO GALERI
23/55

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA