Baba Mondi ka qenë një ndër pjesëmarrësit në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë.
Ai shprehet kjo është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët dhe shiu që bie, tregon vuajtjet që kanë kaluar të parët tanë që ngritën flamurin.
“Ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, një ditë e bukur pavarësisht se është me shi, por tregon kohën e vështirë që kaluan të parët tanë, që ngritën këtë flamur të shkëlqyer, që ndriçon dhe do ndriçojë, siç ndriçojnë shqiptarët në kohërat që i kanë dhënë Shqipërisë dhe botës, për dashuri, për paqe, për mirësi. Jemi i vetmi komb që nuk kemi pushtuar asnjë, kemi luftuar gjithmonë për lirinë dhe pavarësinë e këtij kombi dhe ia kemi arritur me 111-vjetorin e kësaj dite të bukur”, shprehet Baba Mondi.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dardha shprehet se kjo është një ditë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por është dita kur Vlora është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve dhe se ndihet krenar
“Është simbolikë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, është ajo dita kur Vlora është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen, prandaj ndihemi shumë krenarë që të gjithë trevat e Shqipërisë janë mbledhur për të festuar me ne këtu së bashku, në këtë ditë të veçantë që është 28 nëntori. I uroj të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen, gëzuar festën e Pavarësisë dhe të çlirimit që është ditën e nesërme”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.
Gjithashtu edhe At Kostandini i uron shqiptarëve ditën e Pavarësisë dhe i bën thirrje të rinjve që të qëndrojnë në Shqipëri, të punojnë dhe ta lulëzojnë vendin e tyre.
“I uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar ditën e Pavarësisë! Kjo është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët që para 111 viteve u bë shtet i lirë dhe njerëzit që të kenë lirinë është gjëja më e madhe e atyre dhe unë i uroj të gjithë shqiptarëve, të gjithë të rinjve të mos largohen nga ky vend që Zoti e ka bekuar, të punojnë dhe ta bëjnë këtë vend të lulëzojë”, u shpreh At Kostandini.
Top Channel