Kryeministri britanik Rishi Sunak ka anulluar takimin me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Shkak për këtë është bërë deklarata e kryeministrit grek lidhur me statujat e Partenonit, për të cilat tha se duhet të kthehen në Greqi pasi janë të vjedhura.
Ky është incidenti më i rëndë i ndodhur gjatë viteve të fundit për një kryeministër grek në detyrë, thekson korrespondenti i Top Channel në Greqi, Artur Bibe. Dy ditë më parë edhe Gjermania ka kritikuar Greqinë lidhur me presionin e ushtruar nga Athina mbi Tiranën zyrtare për shkak të çështjes “Beleri”.
Sunak dhe Mitsotakis do të takoheshin paraditen e së martës në Londër. Kryeministri grek shprehu keqardhjen e tij lidhur me anullimin e takimit, por nuk u tërhoq nga qëndrimi lidhur kthimin në Greqi të statujave të Partenonit.
“Shpreh shqetësimin tim që kryeministri britanik anuloi takimin tonë të planifikuar vetëm disa orë përpara se të zhvillohej. Greqinë dhe Britaninë i bashkojnë lidhjet tradicionale të miqësisë dhe korniza e marrëdhënieve tona dypalëshe është jashtëzakonisht e gjerë.
Qëndrimet e Greqisë për çështjen e Skulpturave të Partenonit janë të njohura. Shpresoja të kisha mundësinë t’i diskutoja ato edhe me homologun tim britanik, së bashku me sfidat kryesore të momentit ndërkombëtar: Gaza, Ukraina, kriza klimatike, migrimi.
Kushdo që beson në korrektësinë dhe drejtësinë e qëndrimeve të tij, nuk ka frikë kurrë nga argumentet kundërshtuese”– shkruan Mitsotakis.
Top Channel