Kryeministri Edi Rama ka kritikuar të tijtë për mesazhet anonime që i nisin mbi vendimet që merr kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.
Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Zgjeruar të PS-së në Vlorë, Edi Rama iu bëri thirrje mbështetësve që të mos e pyesin më pse Dredha merr në punë mbështetës të PD-së, pasi në administratë nuk duhet të ketë ndasi të tilla. Sipas Ramës, nëse ata persona janë të aftë në punën dhe kontributin e tyre, atëherë nuk duhet të largohen nga puna për shkak të bindjeve të tyre politike.
“Në mbyllje, dua të them diçka për partinë e Vlorës, Vlorës, jo të qarkut Vlorë sepse më vjen dhe për të qeshur dhe për të qarë në fakt kur marr disa mesazhe anonime. E kishit harruar këtë stil disa kohë, s’di pse filluat prapë dhe kam vënë që arsyeja e këtyre mesazheve anonime është pse Ermali është i hapur për të marrë në ekipin e tij edhe demokratë. Unë nuk i di kush janë dhe si janë, por unë di vetëm një gjë, që Ermali ka të drejtë dhe kush i bën këto mesazhe e ka gabim, në parim flas. Ermalit dhe çdo kryetari bashkie ne t’i kërkojmë llogari për punën. Se kë marrin punë është e drejta dhe detyra e tyre, e para.
E dyta, kush është socialist, socialist dhe kush i beson vërtetë ato që themi, që ne jemi të hapur për të gjithë, jo që s’duhet të mërzitet pse demokratët merren në punë kur janë të zotë, patjetër. Tani kanë votuar për atë, po për atë do votonin pra se ishin demokrat. Fakti që nuk votojnë më për atë është merita jonë apo jo? Dhe për këtë arsye është shumë e vjetër dhe është shumë e pakuptimtë që të merremi me këtë pjesë”- tha Rama.
Ndër të tjera, kryesocialisti njoftoi dhe 8 dhjetorin si datë për mbledhjen e kongresit të Partisë Socialiste.
“Ne do shkojmë në kongresin e partisë në 8 dhjetor dhe do t’i diskutojmë konkluzionet e gjithë këtyre takimeve, jo thjeshtë këto që bëj unë me Sekretin e Përgjithshëm, por të gjithë takimet që janë bërë përpara dhe ka gjëra që ne duhet t’i shikojmë në sy sepse ne nuk mund të presim që të humbasim për tu përmirësuar. Se ne nuk humbasim dhe fakti që nuk humbasim çfarë do të thotë? Që nuk mund të përmirësohemi? Absolutisht jo. Fakti që kemi fituar 8 zgjedhje resht lidhet ndër të tjera dhe me faktin që pas çdo fitore zgjedhjeje ne kemi filluar të nesërmen punën për të parë se çfarë duhet të përmirësojmë. Zakonisht partitë në demokraci fitojnë zgjedhjet dhe pastaj presin që të vijnë t’i nxjerrin nga zyra që të fillojnë prapë të ri organizohen. Ka dhe si ato që shikoni sot, që kanë 10 vjet që nuk gjejnë rrugën. Kurse ne jo. Ne duhet të rishikojmë çdo gjë tek vetja përsëri dhe tani që kemi një dekadë që jemi në krye të vendit, që kemi gjithë këtë eksperiencë, që kemi patur mundësinë t’i vëmë në provë të gjithë njerëzit, ne kemi detyrën të ndërtojmë një Parti Socialiste për dekadën tjetër dhe ka plot gjëra që duhet të shohim”– theksoi Rama.
Top Channel