Nga JÜRGEN STOCK – Këtë javë në Vjenë, në takimin vjetor global të drejtuesve të policisë nga e gjithë bota, kudo qoftë në grupe të grumbulluara në korridore apo dhe në sallën kryesore të takimit, çdo oficer i zbatimit të ligjit do të flasë për një gjë: Rritjen shpërthyese të krimit të organizuar transnacional.

Ajo që çdo forcë policore e di, por pjesa tjetër e botës ende nuk e ka kuptuar, është se ka pasur një epidemi të krimit të organizuar transnacional  në atë shkallë sa është kthyer tani në një krizë globale për sigurinë.

Pavarësisht se me të drejtë jeni të shqetësuar për përleshjet e bandave në rrugët tuaja, shfrytëzimin seksual të fëmijëve, punën e detyruar apo një epidemi droge që vret njerëzit në komunitetin tuaj, ajo për të cilën duhet të shqetësoheni vërtet është krimi i organizuar transnacional.

Dhe mos mendoni se këto janë vetëm shqetësime në komunitetin dhe vendin tuaj, kjo po ndodh globalisht.

Pandemia e COVID përshpejtoi ndryshime të mëdha shoqërore, dhe askund më shumë se te krimi i organizuar transnacional.

Grupet kriminale anembanë botës po përdorin rrjetin e errët dhe mjete të tjera për të krijuar një model krejt të ri biznesi, pasi kohët e kodeve të heshtjes (shen red: Omerta) mes grupeve të lidhura ngushtë kanë kaluar; këto grupe kriminale as nuk e dinë se me kë po punojnë dhe po i bëjnë lidhjet anonime në internet.

Ata po kontraktojnë jashtë, krijojnë partneritete, bashkojnë aktivitete të ndryshme kriminale. Ata po zgjerojnë tregjet globalisht, ndërsa operojnë nën radar dhe shpesh të pazbuluar, duke minuar njëkohësisht sundimin e ligjit dhe demokracinë në ato vende.

E gjithë kjo është mundësuar në internet, por ne po shohim gjithashtu rritjen e krimit në internet, që kryhet në një vend dhe shfrytëzimin e njerëzve në një tjetër; krimi kibernetik është kthyer në një shërbim “delivery” që paguhet njësoj si një vakt ushqimor.

Njerëzit vulnerabël janë në shënjestër çdo sekondë të ditës për kursimet e tyre të jetës nga mashtrimet dhe hakimet e fjalëkalimeve.

Çfarë duhet të bëjë një oficer i policisë lokale për një kriminel që është 7000 milje larg?
Në fakt, çfarë synohet të bëjë shërbimi policor edhe nëse ka burimet më të mira për një kriminel që vepron në mënyrë anonime në një kontinent tjetër?
Asnjë organ i vetëm ligjzbatues, asnjë grupim rajonal, askush nuk mund ta trajtojë vetë këtë shpërthim të krimit të organizuar.

Grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar po shfrytëzojnë marrëdhëniet e vështira midis vendeve, po shfrytëzojnë konfliktet dhe po shfrytëzojnë faktin që investimi i forcave të rendit në teknologji është tejkaluar ndjeshëm nga kriminelët.

Në një botë të copëtuar, një mesazh uniteti më i madh global është sfidues, sepse pa shkëmbime informacioni pa bashkëpunim dhe pa i dhënë çdo oficeri policie në çdo komunitet mjetet për të njohur dhe trajtuar krimin e organizuar transnacional, asnjë vend në botë nuk mund të përballojë këtë sfidë i vetëm.

Kjo është arsyeja pse, sot më vonë në konferencën vjetore të INTERPOL-it, ne do të lançojmë Deklaratën e Vjenës.

Kjo do t’u bëjë të qartë liderëve të botës, në emër të oficerëve të tyre të policisë, se pa e trajtuar këtë shpërthim, këtë pandemi të dytë, këtë krizë të krimit të organizuar transnacional si një krizë të përbashkët globale të sigurisë kombëtare, asnjë nga komunitetet tona nuk do të jetë i sigurt.

Kjo epidemi mund të trajtohet vetëm me veprim urgjent, të koordinuar global, bashkëpunim më të madh midis vendeve dhe rajoneve dhe duke investuar në teknologjinë e përbashkët. Gjendja e rrezikshme e sigurisë globale do të thotë se bashkimi i botës është tani urgjent.

Bota përballet me shumë sfida, ndryshimet klimatike, tensionet gjeopolitike dhe konfliktet rajonale dhe do të jetë joshëse për liderët të shpresojnë se dikush tjetër do të gjejë një zgjidhje, por kjo nuk do të ndodhë. Ne mund ta trajtojmë këtë shpërthim të krimit të organizuar transnacional vetëm nëse të gjithë bëjmë pjesën tonë.
Detyra e parë e një shteti është të ruajë njerëzit e tij të sigurt. Pa unitet në adresimin e këtij kërcënimi dhe adresimin e tij tani, ai do të jetë përtej mundësive të zbatimit të ligjit dhe agjencive të sigurisë në botë.

*Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it/Titulli është redaksional nga Web TCH

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA