Provimi Inter është kaluar , ndoshta jo me notën maksimale, por është kaluar. Tani objektivat e Juventusit duhet të ndryshojnë.

Vendi i katërt mbetet objektivi minimal i këtij sezoni tranzicioni, por pas derbit të Italisë është titulli që duhet të synohet nga bardhezinjtë. Ndoshta është prej kohësh në mendjen e lojtarëve, siç pranoi Rbbiot dhe madje edhe vetë Allegri pavarësisht se trajneri preferon të vërë përpara Inter, Milan dhe Napolin.

Sfida me zikaltërit tregoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të sfiduar Interin deri në fund. Ekzistonte rreziku i një disfate nga ana e një skuadre më të strukturuar dhe gati për të fituar, por në Torino u zhvillua një ndeshje e ekuilibruar, me bardhezinjtë që kaluan të parët në avantazh para se të pësonin golin e Martinez. E gjitha kjo në një situatë emergjence duke parë mungesën e kapitenit Danilo dhe prezencën në fushë të një djaloshi të ri, Nicolussi Caviglia, që këtë sezon kishte luajtur vetëm pak minuta para se të nisej si titullar në ndeshjen më të rëndësishme të karrierës, si pasojë e një Locatelli jo në formën optimale. Pa llogaritur këtu ndalesën e gjatë të Weah dhe mungesat tanimë përfundimtare të Pogba dhe Faggioli.

Nuk është një situatë e lehtë, por që u kalua pa probleme të mëdha hap pas hapi. Meritë e një grupi të bashkuar dhe një skuadre që ndoshta nuk është aq e bukur për tu parë, por që di se çfarë duhet të bëjë në fushë. Pastaj përpara ka nevojë që Chiesa e Vlahovic të shfaqin nivelin e tyre më të lartë për të dëmtuar kundërshtarët, por edhe Kean dhe Milik japin garanci dhe besueshmëri në rast nevoje. Sigurisht që nuk mund të mendohet që të ecet përpara kështu dhe për pjesën tjetër të sezonit dhe për këtë arsye në janar do të nevojiten përforcime në mesfushë por edhe në fazën sulmuese. Objektivat tanimë kanë ndryshuar.

Top Channel