25-vjetori i Kushtetutës/ Kreu i Gjykatës së Lartë: Ndryshimet kushtetuese tronditën sistemin e drejtësisë, reformimi rikthen besimin

27/11/2023 12:51

Flitet shumë në emër të Kushtetutës dhe për respektimin e saj, ashtu si nuk ngurrohet që, për zgjidhjen e një situate konkrete, të kërkohet rishikimi i saj, u shpreh kryetari i Gjykatës së Lartë, në 25-vjetorin e Kushtetutës.

Dhe duke folur për ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, kreu u Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi  tha se ishte një përpjekje që ia vlejti, pasi “u desh ndryshimi në Kushtetutë që sistemi i drejtësisë të tronditej, për të bërë reformimin dhe për të fituar gradualisht besimin”.

“Pavarësisht se ndryshimet prekën vetëm një nga degët e pushtetit shtetëror, sot çdo shqiptar është i ndërgjegjshëm se efektet që solli ky ndryshim janë gjithëpërfshirëse. Ato nuk prekën vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, por ato po afektojnë çdo ditë jetët e shumë shtetasve dhe shtetarëve në Shqipëri. Mënyra si ka ecur i gjithë reformimi i sistemit të drejtësisë, me një pritshmëri mjaft të lartë nga opinioni publik, i mbështetur dhe i asistuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ka bindur gjithsecilin, se është bërë zgjidhja e duhur”, tha ai.

Duke cituar preambulën në hyrje të Kushtetutës, kryetari i Gjykatës së Lartë u ndal te detyrat e funksionarëve të ngarkuar me punë publike.

“Kushtetuta, ashtu si çdo vepër dhe krijim njerëzor, nuk mund të jetë e përjetshme. Qëllimi parësor i saj në momentin e hartimit është të krijojë një qëndrueshmëri në qeverisje. Por që t’i shërbejë këtij parimi duhet që Kushtetuta të ketë një masë të caktuar fleksibiliteti, me qëllim zgjidhjen e situatave komplekse ose konfliktuale, që krijohen në një moment të caktuar. Pikërisht, këtë vizion dhe orientim të qartë e largpamës e kanë pasur edhe hartuesit e Kushtetutës 25 vjet më parë, të cilët kanë ditur të vendosin balancën ndërmjet qëndrueshmërisë dhe evoluimit të Kushtetutës. Për atë, që ata kanë shkruar dhe na e kanë lënë si trashëgimi, mendoj se kanë vepruar mirë dhe për këtë arsye, të gjithë Ne duhet t’u jemi mirënjohës.  

Nuk është dhe nuk duhet të mendohet rishikimi i Kushtetutës si zgjidhja e vetme. Qëllimi i çdo kushtetute politike, thotë Medison, është ose duhet të jetë, së pari, gjetja si drejtues e njerëzve që e kanë më të zhvilluar aftësinë e të kuptuarit të gjërave dhe janë më të virtytshëm për të punuar për të mirën e përgjithshme të shoqërisë dhe, së dyti, marrja e masave sa më të efektshme të kujdesit për të mbetur të virtytshëm gjatë kohës që ata vazhdojnë të mbajnë detyrat publike.  Ky është misioni i të gjithë atyre që janë ngarkuar nga Kushtetuta të përmbushin me kompetencë dhe me përgjegjshmëri të lartë detyrën e funksionarit publik”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA