Të gjitha akset nacionale janë të hapura në zonën e Korçës, pas reshjeve të dendura të borës një natë më parë.
Edhe segmentet drejt Dardhës e Voskopojës. Trashësia në këto fshatra arrin deri në 7 cm. U punua gjatë natës për hapjen e rrugëve. Prej pasdites së djeshme ka qarkullim të rënduar për shkak të ardhjes së turistëve drejt Korçës.
Sipas informacioneve, nuk ka problematika dhe bllokime rrugësh, ndërsa temperaturat janë të ulëta.
Një ditë më parë, qarkullimi u bë i vështirë në disa zona për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
50 persona janë shpëtuar nga automjetet që mbetën të bllokuara për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në Qafë Murrizë.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme, nëpërmjet automjeteve të posaçme nxorën pasagjerët nga zona e rrezikuar, për t’i transportuar drejt Klosit, Bulqizës dhe Peshkopisë.
Gjithashtu një ditë më parë u bllokuan akset rrugore: Rruga e Arbrit, Cudhi Kamp-Qafshtamë, dhe Bruzë Mal-Shkretë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se po pastrohen me kripë akset: Kukës-Krumë dhe Kukës-Ura e Zapotit, në segmentin rrugor Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj në lartësinë mbi 700m, Qafë Thore, Vau i Dejes-Pukë-Kukës, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kërrnaje, Bajram Curri-Fierzë.
Në qarkun e Dibrës reshjet e borës kanë rënë deri në lartësinë 400 metra mbi nivelin e detit, duke përfshirë edhe qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës. Akset që janë bërë të pakalueshme janë: Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë, Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë, Peshkopi-Kuben-Kukës.
Top Channel