Partitë e vogla opozitare kërkojnë krijimin e Federatës së Opozitës: Basha dhe Berisha t’i thërrasin arsyes

24/11/2023 10:35

Krerët e partive të vogla opozitare, Agron Duka nga Partia Agrare Ambientaliste, Fatmir Mediu nga Partia Republikane, Artur Roshi, Balli Kombëtar Demokrat dhe Sali Shehu nga Partia Fryma e Re Demokratike, në një komunikatë të përbashkët për shtyp kanë bërë thirrje për lënien mënjanë të mos marrëveshjeve dhe bashkimin e opozitës.

Duke theksuar se faktori opozitar gjendet në ‘pikë të hallit’, Duka i kërkoi Bashës dhe Berishës që t’i thërrasin arsyes dhe të bashkëpunohet drejt një qëllimi strategjik. Sipas Agron Dukës, ‘çdo kryetar duhet të lërë pak nga personaliteti i vet për t’i shërbyer të mirës së përgjithshme’.

“Iniciativë është e jona. Dhe Basha dhe Berisha i kanë dëgjuar propozimet tona, unë e kam përmendur edhe disa herë më parë publikisht kështu që është e pamundur të mos më kenë dëgjuar. Kemi shpresë, se do i thërrasin arsyes dhe të lënë mënjanë hallet individuale dhe të bashkohen për një qëllim të përgjithshëm. Ajo që ne duam është të lihen në një anë kundërshtitë që kemi dhe të bashkëpunojmë drejt një qëllimi strategjik. Çdo kryetar partie duhet patjetër që të lëshojë pak nga personaliteti i vet për t’i shërbyer të mirës së përgjithshme.

Edhe ajo për reformën zgjedhore një tentativë bashkimi ishte”- tha Agron Duka.

Edhe Mediu i ka mëshuar idesë së bashkimit, duke theksuar se unifikimi është jo vetëm një nevojë, por domosdoshmëri për opozitën. Kreu i republikanëve propozoi institucionalizimin e federatës së opozitës duke theksuar se opozita duhet të ngrihet në përgjegjësitë e saj.

“Opozita duhet të ngrihet ne përgjegjësitë e saj. Propozojmë institucionalizimin e federatës se opozitës, e cila do të kthehet në një koalicion opozitar. Me këtë federatë do të krijohet një strategji e koalicionit opozitar. Nuk duhet të bashkohemi drejt idesë se kush është lider, por për opozitën. Për mua PD është tepër e rëndësishme, më e rëndësishme se çdo emër. Ne jemi takuar me deputetë nga të dyja krahët, Berisha e Bardhi. Po ta çojmë debatin se kush është kush ne nuk do të dalim gjëkundi. U kam shtruar këtë çështje edhe ndërkombëtarëve për Komisionet hetimore, reformën zgjedhore dhe organizimin e funksionimin e grupit më të madh parlamentar iopozitar. Unë pash që rruga më e mirë është të kryhet me marrëveshje”- tha Mediu, duke nënvizuar faktin se parlamenti duhet të kthehet në binaret kushtetues dhe se duhet dialog në politikë, me prezencën e ndërkombëtarëve.

Kemi idenë se një parti e bashkuar një opozitë e bashkuar, është rruga më e mirë për të pasur sukses”- përfundoi Mediu.

Top Channel