Një minutë heshtje për Zef Dedën! Politika nderon “Artistin e Merituar”: Talenti gjenial që u dhuroi buzëqeshje shqiptarëve

24/11/2023 12:52

Bota e artit vajton ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur Zef Deda. ‘Mjeshtri i Madh’ i humorit la një impakt të gjerë në artin shqiptar, duke gdhendur përjetësisht me shpirtin e tij artistik qindra role në memorjen e të gjithë shqiptarëve.

Politika i ka bërë homazhe duke lënë mesazhet e tyre të lamtumirës për talentin gjenial që i dhuroi të qeshura publikut të gjerë në kohë të mira e të vështira, përgjat diktaturës.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u shpreh se ndarja nga jeta e Zef Dedës prek çdo shqiptar që ka shijuar humorin dhe artin e mjeshtrit të pazëvendësueshëm shkodran.

“Sot u shua ikona e humorit, Mjeshtri i Madh, Zef Deda! Lajmi për ndarjen e tij nga jeta prek çdo shqiptar që ka shijuar humorin dhe artin e mjeshtrit të pazëvendësueshëm shkodran. Lamtumirë njeriut që solli gëzim në shtëpitë e shqiptarëve edhe në momentet e vështira!”– shkruan Begaj.

Kryeministri Edi Rama shfaqet zemërthyer, ndërsa përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan “Lamtumirë i dashur Zef”.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha, i gjendur në një dalje publike në momentin e lajmit, ka zgjedhur të nderojë “Artistin e Merituar” duke mbajtur një minutë heshtje. Berisha theksoi se Zef Deda ia kushtoi dhuntinë e tij në çdo kohë të vërtetave të mëdha të artit dhe shoqërisë.

“Sot është një ditë zie për artin, skenën, Shkodrën dhe artdashësit e mbarë Shqipërisë, mbasi dielli perëndoi përgjithmonë për artistin e mirënjohur, e talentuar, Zef Dedën.

Zef Deda ishte një artist që të gjithë dhuntinë e tij, ia kushtoi në çdo kohë të vërtetave të mëdha të artit dhe shoqërisë. Ai ndahet nga jeta para kohe, pra, duke pasur mundësi për të kapur maja të tjera në skenë dhe art. Por, mbetet i pavdekshëm me trashëgiminë e tij të shkëlqyer që lë.

Ndaj dhe unë shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, komunitetit artistik dhe qytetarëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë për këtë humbje të madhe”- tha Berisha.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllime për shuarjen e artistit të mirënjohur, duke theksuar se largimi i Zef Deës është një humbje e madhe për artin shqiptar. Sipas Bashës, stili i Dedës do të mbetet i pavdekshëm.

“Lamtumirë Zef Deda,

Mjeshtri i madh i humorit, që me talentin gjenial u dhuroi buzëqeshje shqiptarëve në kohë të mira e në kohë të vështira, si ato të diktaturës. Një humbje e madhe për artin shqiptar, për artëdashësit e në veçanti për Shkodrën, shpirtin e të cilës Zef Deda e mishëronte me një stil që do të mbetet i pavdekshëm. Ngushëllime të sinqerta familjes Deda, kolegëve, miqve dhe dashamirësve të shumtë të Zefit. U prehtë në paqe!”- tha Basha.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla vlerësoi figurën e humoristit të shquar, duke e konsideruar atë ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë.

“Sot kultura shqiptare humbi Artistin e Merituar, Mjeshtrin e Madh, humoristin e shquar, ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë, Zef Dedën. Për rreth gjysëm shekulli, personazhet që solli në skenën dhe komedinë shqiptare Zef Deda janë bërë pjesë e humorit dhe e jetës së shqiptarëve. Me krijimtarinë dhe rolet e tij Zefi është bërë një figurë emblematike dhe alter ego e personazheve të paharruar të humorit shqiptar. U prehsh në paqe, Zef!”-shkruan Nikolla.

Zef Deda mbylli sytë në moshën 73-vjeçare në qytetin e tij të lindjes pas një sëmundje të rëndë që e kishte prekur prej pak kohësh.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel