Kaosi në Kuvend, Rama për opozitën: Eksportuan jashtë vendit një produkt të një shëmtie të jashtëzakonshme

24/11/2023 18:59

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish kaosin në Kuvend të ndodhur të hënën.

Ai e konsideron një figurë të keqe për botën tensionin e krijuar në Kuvend të hënën, pamje të cilat u publikuan edhe në mediat botërore.

Deputetët e opozitës Rama i krahason me një grup njerëzish që kanë ngatërruar parlamentin me një shpellë dhe kanë ndezur një zjarr.

Rama: Përsëri kanë eksportuar jashtë vendit një produkt të një shëmtie të jashtëzakonshme dhe ata që e kanë publikuar atë produkt e kanë publikuar si një kuriozitet zoologjik jo si revolucion, të nxjerrësh flakë në një parlament të Evropës është sensacion, njësoj sikur një grup njerëzish kanë ngatërruar parlamentin me një shpellë dhe kanë ndezur një zjarr, por efekti mbi Shqipërinë për çdo spektator që nuk hyn me detaje është ky: ça bëhet, ç’është ky vend, parlament zjarr, a ia vlen të ikim vitin tjetër me pushime?

Sipas Ramës, nuk ka lidhje me të drejtat e opozitës, por me hallin e madh të ish-kryeministrit Sali Berisha që sipas kryeministrit shumëkush e mendonte të paprekshëm dhe sot duhet të përballet me drejtësinë.

Rama: Është një shëmti e jashtëzakonshme, këtë e kanë bërë gjithmonë, kjo e fundit sensacion zoologjik, nuk ka asnjë anëtar të faunës që të tregojë që kjo nuk ka lidhje me të drejtat e opozitës, ka lidhje me hallin e madh të një individi që shumëkush e mendonte të paprekshëm dhe sot duhet të përballet me drejtësinë. Në këtë fazë është edhe halli me drejtësinë, nuk hynë në çadër për zgjedhjet por për Vetingun, dua ta rithem atë që kam përsëritur për PS që kjo që po ndodh sot dhe ka një domethënie shumë të madhe, pavarësisht domethënies, SPAK GJKKO, bashkë me struktura të tjera janë krijesat e para në historinë e shtetit shqiptar që e përfaqësojnë drejtësinë përmes trupash të pavarura nga pushteti ekzekutiv, kur thonë e bëri Amerika, erdhi nga qielli, Amerika këtu ishte që në ’91-shin dhe avionë kishte që në ‘91, po ta kishte sjellë me avionë do e kishte sjellë përpara.

Top Channel