Fasonët po shkurtojnë punonjës/ Rënia e euros, zero fitimet! Çdo muaj 9 milionë euro humbje

24/11/2023 15:24

Pasi dërguan propozimet e tyre në 1 shtator për zgjidhje konkrete që të ndalonin rënien e fortë të eksporteve, sektori fason i është drejtuar sërish me një letër qeverisë për vazhdimin e dialogut mbi një zgjidhje në “ngërçin” ku i ka futur zhvlerësimi i euros.

Sipas tyre, forcimi i pajustifikuar i lekut po bën që 440 ndërmarrje të shkurtojnë deri në 50 punonjës në ditë, ndërsa humbjet llogariten në 9 milionë euro në muaj. Të gjitha fitimet rekord që u shënuan gjatë 2022-it janë zeruar gjatë këtij viti.

“Ky nuk është një moment dëshpërimi, ky është një moment ulëritje për ne. Duhet patjetër të vazhdojë dialogu dhe ne të dëgjohemi për problemet tona. Rënia e eksporteve me 20% do të thotë humbje e markës shqiptare në tregjet e huaja”, tha Florian Zeka nga Shoqata Proeksport Albania.

“Problemi është që këtu nuk po luhet me rregullat e tregut të lirë. Nënçmimi i euros me 16% brenda një viti është diçka që nuk justifikohet nga justifikimet zyrtare. Ne nuk kërkojmë lëmosh, por duam që fillimisht të kemi akses më të lehtë te bankat e nivelit të dytë, duam që të automatizojmë proceset tona dhe të bëhemi realisht manifakturë, jo thjesht shërbyes të vendeve të huaja. Nëse nuk gjendet një zgjidhje, sipërmarrësit shumë shpejt do ulin qepenat dhe kjo do ketë një impakt të rëndë social”, deklaroi Edvin Prençe nga Shoqata Proeksport Albania.

Sektori fason përbën 40% të eksporteve “Made in Albania”, grupi më i madh në vlerë. Qeveria deri më tani për bizneset eksportuese ka garantuar shtyrjen e kësteve të tatim-fitimit, si dhe ka përshpejtuar procesin e rimbursimit të TVSH-së për ta.

Banka e Shqipërisë nga krahu tjetër ka premtuar ndihmë për mbrojtjen e kursit të këmbimit në kontratat e ardhshme. Por, masat janë konsideruar sporadike dhe nuk po ndihmojnë situatën ku ata ndodhen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA