Turqia “djeg” Suedinë? Anëtarësimi në NATO, nuk bëhet javën e ardhshme!

23/11/2023 08:50

Turqia i dha një tjetër goditje shpresave të Suedisë për anëtarësim të shpejtë në NATO.

Ankaraja njoftoi se ratifikimi i kërkesës së vendit nordik nga parlamenti turk nuk do të përfundojë në kohë për të mundësuar ceremoninë e anëtarësimit gjatë takimit të ministrave të jashtëm të aleancës javën e ardhshme. Shtyrja e votimit u justifikua nga komisioni i punëve të jashtme me nevojën për shqyrtime të mëtejshme. Shpresat ishin që pranimi i Suedisë të ndodhte në takimin që ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të zhvillojnë në Bruksel në 28 dhe 29 nëntor.

Suedia e paraqiti majit e vitit të kaluar së bashku me Finlandën kërkesën e anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarake të globit. Të dyja këto vende vendosën t`i jepnin fund dekadash të tëra neutraliteti mes frikës që ngjalli agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan fillimisht e kundërshtoi anëtarësimin e të dy shteteve nordike me arsyetimin se mbronin grupe të cilat Turqia i konsideron si terroristë, duke nënvizuar edhe embargot e tyre tregtare për mbrojtjen.

Megjithatë, ai ia dha aprovimin Finlandës në muajin prill, ndërsa Suedinë vazhdoi ta lërë në pritje. Ankaraja pretendon nga Stokholmi që të ndërmarrë më shumë hapa për të frenuar anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet si një grup terrorist nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

Ratifikimi kërkon që projektligji të miratohet nga komisioni i punëve të jashtme turke përpara se të hidhet në një votim të plotë parlamentar, çka mund të kërkojë disa ditë ose edhe javë. Me pas, ai duhet të firmoset nga presidenti, por zvarritjet e këtij procesi i kanë zemëruar aleatët e Turqisë dhe ka vënë në sprovë lidhjet e saj me Perëndimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA