Populisti i ekstremit të djathtë, Geert Wilders shënoi një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare të Holandës, jehona e së cilës është përcjellë nga të gjithë mediat e mëdha nëpër botë.
Rezultati i votimeve nënkupton se Wilders, një anti-islamik i bindur, do të drejtojë tani bisedimet për formimin e një koalicioni të ri qeverisës, e ndoshta dhe të kthehet në kryeministrin e parë të djathtë në një kohë trazirash politike në pjesën më të madhe të kontinentit. Për të përmbushur megjithatë zotimin e tij se do të jetë “një kryeministër për të gjithë”, atij do t`i duhet të bindë edhe partitë e tjera të bashkohen në koalicion me të.
Objektivi i 60-vjeçarit është të sigurojë 76 nga 150 vendet e parlamentit holandez, por kjo nuk është një sipërmarrje e lehtë pasi partitë kryesore në vend ngurrojnë t`i bashkojnë forcat me të.
“Ky është një rezultat i jashtëzakonshëm për ne. Siç e kam thënë edhe më herët, nëse bëhem kryeministër do të je mi tillë për të gjithë popullin holandez, pavarësisht se kush janë, pavarësisht gjinisë apo besimit, pavarësisht se nga vijnë. Do të jem udhëheqës për të gjithë”, u shpreh Geert Wilders.
Pas 25 vitesh në parlament, Partia e tij e Lirisë ka siguruar 37 vende në parlamente, më shumë se dyfishi i vendeve të fituara në zgjedhjet e fundit ndërsa ka lënë shumë prapa rivalin e vet më të ngushtë, një aleancë të krahut të majtë. Wilders shfrytëzoi zhgënjimin e përhapur ndaj emigracionit dhe premtoi “kufij të mbyllur”, ndërsa u frenua ndërkohë nga zotimi i vet të ndaluar Kuranin.
Teksa ende pritet shpallja e rezultatit zyrtar, politikani veteran është uruar tashmë nga kundërshtarët për fitoren, e cila pritet të shkaktojë jo pak tronditje në Europë. Liderë nacionalistë e të ekstremit të djathtë në kontinentin e vjetër nxituan ta lëvdojnë këtë arritje të tij.
Në Francë, liderja e Frontit Nacional, Marine Le Pen deklaroi se ky triumf i Wildersit të etiketuar si varianti holandez i Donald Trumpit, konfirmon rritjen e mbështetjes për atë që ajo e quajti “mbrojtje të identiteteve kombëtare”.
Top Channel