Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Italian, Antonio Tajani u tregua i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij gjatë një takimi ndërqeveritar në Berlin, ku tërhoqi vëmendjen tek rajoni i konsideruar si “oborri i pasmë i Europës”, e që duket se po kthehet në një fushëbeteje për influencë.
“Nuk mund ta lëmë Ballkanin në duart e rusëve, turqve, sauditëve dhe kinezëve. Kjo është arsyeja përse kemi nevojë për një prani të madhe industriale të Europës atje, dhe kjo varet nga vendet e mëdha të industrializuara. Ne duhet medoemos t’i afrojmë këto vende me Bashkimin Europian”, u shpreh Tajani.
Vëmendjen e shtuar që po merr Ballkani në perëndim e dëshmoi qartë edhe turi rajonal i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili erdhi pak ditë pas deklaratës së bujshme të presidentit ukrainas Volodymir Zelensky se Rusia po planifikon një luftë në rajon, duke e kthyer atë një Lindje te mesme të dytë.
Stoltneberg megjithatë, u përpoq ta davariste frikën e një skenari të tillë dhe garantoi përkushtimin e aleancës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Top Channel