Hyrja e Ish-Pallatit të Kongreseve u pushtua nga shqiptarë të ardhur prej shumë vendeve të botës në të tretin Samit të Diasporës  të cilin ministri punëve të jashtme Igli Hasani e quajti “si mesazhin më të qartë të bashkimit”.

Presidenti Bajram Begaj dhe ajo e Kosovës Vjosa Osmani e vunë theksin në nevojën e përfshirjes të diasporës në proceset demokratike dhe në të investuarit në vendlindje.

Sot qindra mijëra shqiptarë të Diasporës janë shndërruar në histori suksesi. Diaspora është promotorja më efiçente e kulturës dhe identitetit tonë. Kartvizita e shqiptarisë në botë“- tha Begaj.

Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata dhe të kahershme për liri, pavarësi dhe shtetndërtim, aq më tepër në samitin që i dedikohet mërgatës tonë, e cila vazhdon të jetë një katalizator i ndryshimit pozitiv kudo që jetojnë shqiptarët“- tha Osmani.

Kryeministri Edi Rama kërkoi më shumë lidhje me Diasporën, pasi fuqizimi i kësaj lidhje, ndërveprimi me Diasporën, sipas tij, është rruga për të fuqizuar përpjekjen e përbashkët dhe për të fuqizuar besimin se së bashku ne mund të arrijmë ta çojmë Shqipërinë dhe t’i ngremë shqiptarët aty ku nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë.

“Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, përtej të gjitha përkatësive krahinore dhe vendndodhjes së secilit si shqiptarë që kanë diçka për të thënë, kanë diçka për të dhënë për mënyrën sesi duhet t’i qasemi sfidave të botës ku jetojmë, e cila pa diskutim ndikon vendet ku ne jemi dhe njëkohësisht si të bashkojmë më mirë forcat për t’ia dalë në realizimin e ambicieve legjitime dhe të objektivave të përbashkëta.

Dita e Alfabetit, 22 nëntori që është një festë e njohur kombëtare për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, unë mendoj që tani është momenti që Dita e Alfabetit, Dita e Gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh, të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri. Patjetër unë besoj që edhe Presidentja e Kosovës do t’ja japë këtë sygjerim edhe kryeministrit vetë”– tha Rama.

Në këtë Samit, zëri shqiptarëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut erdhi përmes Ali Ahmetit, Nik Gjeloshajt dhe ish-kryeministrit Dritan Abazoviç.

Të gjithë të rinjtë le të kapin diturinë në universitetet më të mira të Evropës dhe Amerikës dhe ti kthehen kokëplotë atdheut të tyre“- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ajo që ka bërë Shqipëria në 10 vitet e fundit, por edhe ajo që kanë bërë shqiptarët në rajon dhe kudo në botë ishte me të vërtet një mrekulli“- tha ish-kryeministri malazez, Dritan Abazoviç.

Top Channel