Nën akuzë për grup të strukturuar kriminal, GJKKO lë në burg Erzen Breçanin dhe 3 nga të arrestuarit

23/11/2023 13:25

GJKKO ka lënë në burg Erzen Breçanin dhe 3 nga të arrestuarit e ‘bandës së Policëve’ si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal për trafik droge, pastrim parash; Dedan Gjoni, Bujar Ajeti, Besmir Murati.

Secili nga avokatët ka kundërshtuar gjetjet dhe konkluzionet e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka evidentuar se grupi prej 11 personash jo vetëm që trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt Bashkimit Evropian, por gjithashtu njëri prej tyre bënte plane dhe kishte angazhuar anëtarët e tjerë të kryenin vrasje në kuadër të prishjes së pazareve për kokainën dhe në kuadër të hasmërive midis grupit të Ervin Matës nga njëra anë dhe grupit të Ervis Martinajt nga ana tjetër.

Avokatët këmbëngulin se të gjitha bisedat që janë përftuar nga rrjeti “SKY” janë të pavlefshme, ndërkohë që SPAK sipas burimeve të Top Channel ka këmbëngulur se praktika europiane dhe procese të tjera të ngjashme kanë konfirmuar se këto procese janë të ligjshme përballë proceseve penale, dhe në këtë rast edhe përballë Gjykatës së Posaçme Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar këtu në Tiranë.

Avokati mbrojtës i shefit të Krimeve, Dedan Gjoni ka insistuar se nuk ekziston ndalim ‘sigurimi i mjeteve’ për një vepër penale dhe se e shumta që mund të ketë kryer zyrtari i Policisë së Shtetit është ajo e ‘shpërdorimit të detyrës’.

Në seancën me dyer të mbyllura mbrojtja argumentoi faktin se nga padijenia oficeri është angazhuar për të përftuar të dhëna nga sistemi, duke i kaluar ato tek të njohurit e tij, pa pasur dijeni se ndërkohë po thurej një plan për të kryer një vrasje.

Nga ana tjetër, burime të sigurta për Anila Hoxhën thonë se avokati i Erzen Breçanit ka insistuar se bisedat e ekspozojnë ish-zyrtarin e Policisë në rolin e këshilluesit për djalin e tij dhe po ashtu si një njeri që i fliste atij të mos kryente kundravajtje dhe krime. Pavarësisht kësaj, Prokurori i çështjes ka lexuar dhe evidentuar bisedat të cilat, sipas tij, Erzen Breçani ka folur për shuma të konsiderueshme.

Avokati mbrojtës ka insistuar se Erzen Breçani i thoshte të birit se nuk kishte nevojë për para të tilla, por Prokurori e kundërshtoi duke thënë se, jo vetëm kaq, por Erzen Breçani përveç pastrimit të parave kishte këshilluar Gërmizin se si ti shmangej drejtësisë dhe më pas kishte këshilluar po ashtu dy të dyshuar të tjerë se si t’i shmangeshin kontrolleve të Policisë dhe për pasojë të mos binin në pranga.

SPAK po ashtu evidentoi rolin e Jonida Babametos, e cila është nën masën e ‘detyrim paraqitje’ për shpërdorim detyre pasi akuzohet se u përcolli të dhëna nga sistemi në kohën që ishte specialiste e zyrës së Interpol Tiranës, personave që ishin pjesë e trafikut të narkotikëve. Janë evidentuar disa episode të trafikut të narkotikëve në Evropë dhe ngarkesave të tyre, por sakaq edhe të bisedave mes tyre dhe Ervin Matës, i cili shfaqet i shqetësuar për situatën me ngarkesat që janë kapur në Frankfurt.

Zbërthimet e komunikimeve në “Sky” lidhën 11 persona mes policisë krimit dhe ish-zyrtarëve të lartë në trafik droge, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. Por asnjë prej pjestarëve nuk ishte një emër i panjohur. Figura qendrore është Ervin Mata, i cili në komunikime del se në këtë aktivitet i është bashkuar edhe i kunati Eraldi Breçanit, djali i ish-zëvendësdrejtorit të Policisë Tiranë. Të dy nuk mundën dot të arrestohen ndërkohë që Erzen Breçani ra në pranga me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit dhe pastrimit të parave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA