Marrëveshja Meloni-Rama për hapjen e qendrave të pritjes së refugjatëve në Gjadër të Shqipërisë, ka ngjallur interesin e Gjermanisë.
Vetë kancelari Olaf Scholz e pohoi këtë gjatë një takimi me kryeministren italiane, ku tha se ujdia është verifikuar nga Komisioni i BE-së, dhe është në përputhje me të drejtën evropiane. “Është interesante për ne ta shikojmë se si do të zhvillohet e gjithë kjo”, ka thënë ai për gazetarët sipas DW.
Pyetjes nëse marrëveshja mund të shërbejë si shembull për Gjermaninë, Scholz iu përgjigj me rezerva duke vënë në dukje lidhjen fqinjësore mes Shqipërisë dhe Italisë: “Këtu ka një specifikë që ka të bëjë me fqinjësinë territoriale mes dy vendeve: Ata i ndan vetëm një det”. Sa për Gjermaninë, Scholz tha se po përpiqet të krijojë aleanca në nivel të barabartë me vendet e origjinës, sidomos ato afrikane.
Meloni nga ana e saj pohoi se marrëveshja me Shqipërinë është një “marrëveshje kornizë që duhet të plotësohet me detajet dhe normat e duhura”. Ajo tha se edhe Shqipëria do të bëjë “maksimumin për ta kthyer atë një një marrëveshje inovative që mund të shërbente si bazë për të marrëveshje të ngjashme me vende të treta”. Se kur do të ndodhë kjo, kjo do të shihet, tha Meloni.
Marrëveshja Meloni-Rama në fillim të nëntorit shkaktoi një debat të gjerë në Gjermani, pasi edhe Gjermania dhe vende të tjera po përpiqen të gjejnë partnerë që pranojnë refugjatë. Scholz kishte qenë në fillim të muajit vetë në disa vende afrikane, si Ghana dhe Nigeria por asnjëra prej tyre nuk ishte treguar e gatshme për të hapur qendra pritjeje.
Top Channel