Policia e Sarandës ka arrestuar në banesën e tij një zyrtar të lartë pasi më parë Gjykata lokale vendosi për masën e sigurisë arrest me burg për 57-vjeçarin Nasim Hoxha, kreu aktual i Inspektoriatit për Mbrojtjen e Territorit në Sarandë.
Hoxha dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke lejuar shtetas të ndryshëm të kryejnë ndërtime të paligjshme restauruese, por edhe me karakter konstruktiv në disa zona në Sarandë e periferi të saj. Nasim Hoxha u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Mjegulla” ndërsa hetimet vijonin që prej verës.
Rreth 1 muaj më parë Policia e Sarandës ka ekzekutuar urdhrat e prokurorisë për ndalimin e 6 funksionarëve të tjerë lokalë përfshi edhe ish-kryeinspektorin e IKMT. Për 3 prej tyre është dhënë masa e ‘arrestit me burg’ dhe 3 të tjerë gjenden në ‘arrest shtëpie’.
Akuzat e lidhura me ta kanë të bëjnë me të paktën 16 ndërtime pa leje të favorizuara në zonën e Ksamilit.
Çështja e ndërtimeve pa leje në Sarandë e Ksamil është problem i mbarur ndër dekada.
Saranda ka plot 15 mijë vetëdeklarime të objekteve të ndërtuara pa leje të depozituara pranë Drejtorisë së Kadastrës Shtetërore, shumica e të cilave të vendosura në zona rreptësisht të mbrojtura ose shumë pranë vijës së ujit e që ende nuk kanë dokumente pronësie. E gjithë periudha kaotike e zhvillimit urban prodhoi deri në vitin 2013 mbivendosjen e 1300 trojeve të ndërtimit, për pasojë bllokimin e hipotekimit të ndërtimeve që ka sjellë ngurtësimin e gati 1 miliardë eurove. Gjithashtu dhënien në përdorim nga njësia vendore ndër vite të 3500 trojeve që janë bllokuar më pas me akte ligjorë nga instanca qendrore.
Top Channel